Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që kanë goditur rajonin e Katalonjës në Spanjë.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet lokale, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura.
Udhëheqësi i Katalonjës, Salvador Illa, konfirmoi vdekjen e një burri në Tordera, në veri të Barcelonës, pasi një mur u shemb si pasojë e motit të keq.
Një viktimë e dytë është regjistruar në komunën e Montornès del Vallès. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës po kërkojnë një person të zhdukur në Pineda de Mar, rreth 52 kilometra në veri të Barcelonës.














