E diel, 4 Tetor 2026 Familja Kuqezi deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Safir Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Ndryshimet në Kodin Procedurës Penale, juristët të ndarë për draftin që do jetë në konsultim publik deri në 28 tetor

Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale, i hedhur për konsultim publik deri më 28 tetor, ka vënë përballë njëri-tjetrit juristët, të cilët kane kendveshtrime te ndryshme. Sipas ish-prokurorit Ervin Karanxha, disa sekuestrime nuk ka pse të marrin legjitimimin e gjykatës.


“Për shembull, nëse ke gjetur në një vendngjarje një litar, do të shkosh në gjykatë? Ç’lidhje ka? Ose, nëse ke gjetur gëzhoja në vendngjarje, do t’ia kthejmë gëzhojat atij që ka kryer vrasjen? Janë disa lloje sekuestrimesh që mund t’i bëjë prokuroria dhe nuk kemi pse ta ngarkojmë punën e gjykatës. Kur bëhet fjalë për telefona, kompjuterë apo ndërhyrje kompjuterike, ku kërkohet ndërhyrja e gjykatës, e cila edhe kohët e fundit ka pasur probleme, po. Por jo për sekuestrime që nuk kanë lidhje me gjykatën”, tha Ervin Karanxha, ish prokuror.

Reklamë

Avokati Gentian Rumano thotë se parashikimi i ri që faktet e ekstraktuara nga aparatet celularë të jenë të përqëndruara, është mëse i drejtë, pasi shmang arbitraritetin e prokurorit.


“Nëse në një hetim kemi dy subjekte që dyshohen për kryerjen e veprës penale dhe të dhënat mund të dalin nga komunikimet e tyre, këto të dhëna do të merren vetëm nga këto dy subjekte. Çfarë bën prokuroria? Kërkon një hapësirë të pakufizuar në kohë dhe në komunikime, si dhe passëord-e dhe fjalë kyçe”, theksoi Gentian Rumano, avokat.

Marrja dijeni i subjektit nën hetim dhe një vepër e re që mund të zbulohet teksa prokurori po kryen hetimin i ka ndan juristët.


“Veprimet e kryera jashtë objektit të hetimit nuk mund të përdoren. Po, ai mund të ketë kryer një vepër tjetër, dhe atëherë mund ta regjistrojë dhe ta bashkojë më pas. Por kjo nuk mund të ndodhë që ti të kesh një çështje në ndjekje dhe të thuash: tani e gjeta dhe pastaj ta bashkosh. Për mua, është një ngarkesë artificiale e prokurorit”, deklaroi ish prokurori Ervin Karanxha.


“Nëse në diskrecionin e tyre është të bëjnë hetime pa e ditur subjekti, ata mund ta bëjnë, por do të përballen me kushtet e papërdorshmërisë dhe pavlefshmërisë”, tha avokati Rumano.

Që prokuroria të zhvilloje hetime jo ndaj personit por ta regjistrojë një procedim si vepër penale duhet parë nën një optikë tjetër thonë për vizion plus përfaqësuesit ligjorë.


“Ka pasur një mënyrë veprimi të prokurorisë, paksa hileqare: çdo person që e kishte nën akuzë apo nën hetim, të cilit, për shkak të hetimeve apo të regjistrimit të emrit në regjistrin e veprave penale, nuk ia regjistronte emrin, dhe kjo binte ndesh qoftë me ligjin, qoftë me afatet e procedimit, të cilat i jepnin më shumë kohë prokurorisë, merrte të dhëna nga ky subjekt në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e faktit dhe jo në cilësinë e personit që po hetohet. Dhe këto të dhëna i përdorte kundër tij. Tani kjo nuk mund të ndodhë më”, shtoi Rumano.


“Ke hetuar për shtatë vjet dhe një ditë të bukur, në fillim të vitit 2026, i regjistron emrin, pa bërë asnjë lloj veprimi. Kjo do një farë rregullimi: sa kohë mund të hetohet çështja pa autor?”, tha Karanxha.

Kryeministri më 30 shtator njoftoi se kodi i procedurës penale ka nëvojë për ndryshime dhe shtesa që kuadri ligjor të jetë në përputhje me ligjislacionin europian. Liria nuk mund të kufizohet një herë dhe pastaj të harrohet u shpreh kryeministri. Në këtë kuptim ai theksoi se për disa vepra penale që dënimi i parashikuar është nën pesë vjet, nuk do të caktohen më masa shtrënguese arrest në burg. Megjithatë do të jetë konsultimi me grupet e interesit ai që do t’i japë draftit vulen perfundimtar.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.