Bota

Avioni përfshihet nga flakët pas rrëzimit në Gjermani, dy persona humbin jetën!

Dy persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël është rrëzuar në jugperëndim të Gjermanisë, pranë qytetit Gundelsheim, në landin Baden-Württemberg.

Policia gjermane konfirmoi se të dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën si pasojë e aksidentit.

Pas përplasjes, avioni shpërtheu në flakë, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe arritën të shuajnë zjarrin.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni i vogël po afrohej për t’u ulur në një pistë pranë Gundelsheim, por për arsye ende të paqarta tentoi të rikthehej në fluturim.

Gjatë manovrës, avioni fillimisht përplasi një gardh dhe më pas një pemë, përpara se të rrëzohej në një vresht.

LEXO EDHE: Londra do të kalojë një muaj mes dramave koreane, librave dhe ushqimit/ K-culture po prezantohet si një botë e vetme!

Zjarri ka dëmtuar rëndë avionin, ndërsa shenjat e regjistrimit janë djegur plotësisht. Për këtë arsye, identiteti i dy viktimave ende nuk është bërë i ditur.

Në vendngjarje kanë mbërritur hetuesit e sigurisë ajrore, të cilët kanë nisur punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa pritet që identiteti i viktimave të bëhet i ditur pas përfundimit të procedurave të identifikimit.

LEXO EDHE: Dhjetëra mijëra në rrugët e Spanjës kundër krizës së strehimit, protestat shpërthejnë pas rrëzimit të paketës së qeverisë!