web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Katërshja fantastike dhe "lavjerrësi" Ilir Toska

4 Tetor 2026, 16:37, Aktualitet CNA

Katërshja fantastike dhe "lavjerrësi" Ilir Toska

Gjykata Kushtetuese po shkon më 24 nëntor drejt një prej vendimmarrjeve më të rëndësishme që lidhen me çështjen e Erion Veliajt. Në shqyrtim do të jetë ankimi i Ajola Xoxës për sekuestrimin e pajisjeve të saj elektronike, një çështje që mund të ketë rëndësi të drejtpërdrejtë për provat e administruara nga SPAK në hetimin ndaj Erion Veliajt dhe personave të lidhur me të.

Në këtë histori janë katër emra që tashmë njihen mirë. Sandër Beci, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji dhe Gent Ibrahimi përbëjnë atë që mund të quhet “katërshja fantastike” e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese.

Për mënyrën se si janë pozicionuar në çështjet që kanë prekur kryetarin e bashkisë, ata janë tashmë të testuar.

Mund ta themi me siguri matematikore se Erion Veliaj i ka në xhep dhe nuk ka asnjë frikë ose nuk pret prej tyre ndonjë surprizë.

Çështja e 24 nëntorit nuk duhet parë sikur i gjithë hetimi i SPAK-ut ndaj kryebashkiakut qëndron vetëm mbi kompjuterët apo pajisjet që i janë sekuestruar Ajola Xoxës. Dosja ka edhe një mori me prova të tjera dhe një material të gjerë të mbledhur nga prokuroria. Por megjithatë kjo nuk e bën të parëndësishme çështjen e pajisjeve. Ato përbëjnë një pjesë të rëndësishme të panoramës së provave dhe një vendim që do t’i nxirrte jashtë loje e do t’i jepte një goditje konkrete pozicionit të SPAK-ut në këtë dosje.

Për katërshen 'ushtare këmbësorie' të kryebashkiakut, çështja duket shumë më e madhe se një debat teknik mbi mënyrën e sekuestrimit të një pajisjeje elektronike. Në këtë histori, qëndrimi i tyre përkthehet si një përpjekje për të dobësuar çështjen e SPAK-ut ndaj Erion Veliajt, duke goditur një prej hallkave të rëndësishme të provave. Nëse kjo do të shoqërohej edhe me një standard të ri kufizues për mënyrën se si prokuroria mund të mbledhë dhe përdorë prova elektronike, pasojat mund të shtriheshin edhe për hetime të tjera të SPAK-ut.

Megjithatë, për Erion Veliajn, çështja është shumë më konkrete. Çdo provë e rëndësishme që del nga loja është një problem më pak për mbrojtjen e tij. Prandaj vendimi i 24 nëntorit mund të ketë peshë të veçantë për ecurinë e çështjes dhe për përplasjen që prej muajsh zhvillohet mes mbrojtjes së kryebashkiakut dhe Prokurorisë së Posaçme.

Por testi i vërtetë nuk është për Sandër Becin, Sonila Bejtjen, Fiona Papajorgjin dhe Gent Ibrahimin. Ata janë tashmë të testuar. Ata janë katërshja që Erion Veliaj mund ta llogarisë në momentet kur i duhet mbështetje në Kushtetuese. Testi i vërtetë është për Ilir Tosken.

Ilir Toska është "lavjerrësi" i kësaj historie. Ai është gjyqtari që mund ta ndryshojë peshoren në njërën apo në tjetrën anë. Në vendimmarrjen e mëparshme për masën e arrestit të Erion Veliajt, qëndrimi i tij ishte pjesë e shumicës që e ktheu çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kjo e bën pozicionin e tij veçanërisht të rëndësishëm për atë që pritet të ndodhë më 24 nëntor.

Rreth Ilir Toskes është diskutuar edhe marrëdhënia e tij me Fatmir Xhafajn, një figurë politike e rëndësishme e Partisë Socialiste dhe një emër që është përmendur shpesh në raport me zhvillimet rreth drejtësisë. Kjo marrëdhënie është një element që e bën edhe më të madh interesin publik për qëndrimin e tij.

Katërshja fantastike dhe "lavjerrësi" Ilir Toska
Gjyqtari Ilir Toska, foto gjatë betimit në Presidencë (26 shtator 2022)

Nëse Ilir Toska, që gjithsesi është një gjyqtar karriere, bashkohet me Becin, Bejtjen, Papajorgjin dhe Ibrahimin, të katërt pa asnjë lidhje me gjyqësorin, atëherë Erion Veliaj do të kishte shumicën që i duhet për një vendim shumë të favorshëm. Nëse Ilir Toska nuk bashkohet me ta, matematika e kësaj historie ndryshon. Pikërisht aty qëndron rëndësia e tij.

Në këtë Gjykatë Kushtetuese ka edhe gjyqtarë të tjerë që kanë ndërtuar profilin e tyre mbi pavarësinë dhe autoritetin institucional. Nuk është e nevojshme që ata të jenë identifikuar me një votë të caktuar kundër Erion Veliajt për të kuptuar dallimin. Çështja është standardi me të cilin secili gjyqtar e ushtron funksionin dhe distanca që ruan ndaj çdo pushteti apo interesi politik.

Për Ilir Tosken do të ishte në nderin e tij që të mos e asoci­ojë emrin me Sandër Becin, Gent Ibrahimin dhe Sonila Bejtjen, por me gjyqtarët që e shohin Gjykatën Kushtetuese mbi çdo interes politik dhe mbi çdo personazh të ditës. Një gjyqtar i Kushtetueses nuk lë pas vetes vetëm votën e një dite. Lë edhe mënyrën se si e ka mbrojtur autoritetin e institucionit ku ka shërbyer.

Ilir Toska, ndryshe nga katër ushtarët këmbësorë, do vijojë të jetë gjyqtar deri në moshën e pensionit. Dhe ndryshe nga ata të katërt nuk ka nevojën t’i lëpihet kujt për të siguruar një vend pune pas përfundimit të mandatit.

Prandaj 24 nëntori nuk është testi i katërshes. Ata tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre në këtë histori. Sytë janë te "lavjerrësi" Ilir Toska dhe te gjyqtarët e tjerë që do të marrin vendimin. Për Ilir Tosken kjo është mundësia për të treguar se cilin standard institucional do të mbajë dhe me cilën pjesë të kësaj Gjykate dëshiron të identifikohet.

Në fund, sytë janë te Ilir Toska.

Katërshja tashmë është e njohur dhe qëndrimet e saj janë bërë pjesë e debatit publik. Lavjerrësi është ai që mund të ndryshojë peshoren. Më 24 nëntor do të shihet nëse Toska do të ecë në të njëjtën linjë me katërshen apo do të zgjedhë të mbajë një qëndrim që e vendos emrin e tij në një tjetër plan, atë të pavarësisë dhe autoritetit të Gjykatës Kushtetuese./CNA 





Lajmet e fundit nga