Shtëpi në periferi? Ja pse refuzojnë shqiptarët

Çmimi i një apartamenti në Tiranë fillon minimalisht me 1100 euro, duke arritur në një vlerë mesatare prej 2100 euro. Me këto çmime, blerja e një apartamenti në Tiranë në vlerën e 60 mijë eurove bëhet e vështirë.
Me këtë vlerë, qytetarët mund të kenë mundësinë të gjejnë garzoniere apo edhe 1+1 në periferi, zonë që po refuzohet nga një pjesë e madhe.
Reinaldo Pipiria nga shoqata e agjentëve imobiliarë në një intervistë për E-Zone në Vizion Plus me moderatoren Rajmonda Lajthia shpjegon faktorët e refuzimit të periferisë.
“Nuk i paragjykoj shqiptarët që refuzojnë të shkojnë në periferi sepse vërtetë subvencionohet strehimi deri në 60 mijë euro, por ka disa kosto të fshehura. Të marrësh një shtëpi në periferi kërkon para për makinën, për shkollimin e fëmijëve. Ne duhet të përkufizojmë sa e kemi minimumin jetik dhe çfarë është minimumi jetik? Çfarë quajmë një shtresë të mesme dhe sa është kostoja e një familje të re që sa ka dalë nga universiteti”, tha Pipiria për Vizion Plus.
Por ku mund të gjejmë apartamente me kosto të ulta?
“Në një situatë normale, duhet të ishim të qartë për stokun e banesave që janë në Shqipëri. Nuk jam i sigurt nëse ka apartament me 60 mijë euro. Mund të ketë në kodrat e Farkës, në Kombinat apo më tej. Unë di që çmimi më i ulët është 1100 euro dhe mund ti bëjnë vetë llogaritë se sa metra katror mund të blejnë. Çmimi mesatar në Tiranë është 2100 euro dhe me këtë çmim me 60 mijë euro mund të blesh vetëm 30 metra katror, që është vetëm një studio”, theksoi Pipiria.
Sipas tij, problem sot mbetet stoku i apartamenteve. 1 në 5 banesa rezultojnë të jenë të bllokuara, çka e bën tregun imobiliar edhe më të vështirë.




