“Fest Folk Klosi”, zhvillohet panairi i vjeshtës, synohet promovimi i vlerave kulturore, artizanale dhe prodhimet e zonës

Për të shtatin vit radhazi Bashkia Klos ka zhvilluar aktivitetin “Fest Folk Klosi” i cili synon promovimin e vlerave kulturore, artizanale dhe prodhimet e zonës.
Aktiviteti u mbajt në qendër të qytetit të Klosit ku morën pjesë fermer nga të gjitha fshatrat, por edhe nga Mati, Bulqiza e Dibra.
Në panair nuk munguan as artizanët të cilët kishin ekspozuar punimet e tyre të dorës.
Pjesmarrësit në panair thanë se këto lloj aktivitetesh ju shërbejnë për promovimin e produkteve dhe shitjen e tyre.
“Punimet me ruaza i bëj bashkë me vajzën. Kanë interes por u duket shtrenjtë, nuk e vlerësojnë hakun e punës. Panairi na ndihmon se shesim. Kam 15 vjet që e ushtroj këtë profesion. Unë e kam pasion”.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola u shpreh se ky aktivitet është kthyer në traditë dhe se synimi është promovimi i vlerave kulturore dhe prodhimeve të zonës.
“Sot synon jo vetëm një ditë feste, por edhe vlerat që ka Klosi. Njerëzit tek ne janë bujar dhe mikëpritës. Sot ka prodhime artizanale dhe bujqësore. Më bëhet qejfi që dhe brezi i ri po e çon përpara prodhimet artizanale dhe trashëgiminë kulturore të brezave”, tha Valbona Kola, kryetare e Bashkisë Klos.
Aktiviteti u mbyll me festivalin folklorik ku pjesmarrës ishin grupe artistike nga shumë treva të vendit tonë por edhe jashtë kufijve territorial të Shqipërisë.




