Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, ka dhënë dorëheqjen dhe është zëvendësuar nga Hamid Bovard, drejtori ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare Iraniane të Naftës (NIOC), njoftoi të dielën zyra e presidentit të Iranit, ndërsa Teherani përballet me një bllokadë amerikane ndaj eksporteve të naftës.
“Pas pranimit të dorëheqjes së Mohsen Paknejad, Hamid Bovard është emëruar ministër në detyrë i Naftës me dekret të presidentit”, thuhet në një deklaratë të zyrës presidenciale, të transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB.
Televizioni shtetëror iranian raportoi se Paknejad e kishte paraqitur dorëheqjen disa kohë më parë për arsye personale, por presidenti Masoud Pezeshkian e kishte refuzuar kërkesën dhe i kishte kërkuar të qëndronte në detyrë.
Sipas zyrës së presidentit, Pezeshkian e pranoi dorëheqjen pasi Paknejad këmbënguli për largimin e tij, ndërsa vlerësoi “përpjekjet dhe shërbimin e sinqertë” të tij.
Bovard, i cili drejton NIOC, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Naftës në një moment kritik për sektorin energjetik të Iranit, në kushtet kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të pengojnë Teheranin të eksportojë naftë bruto.
Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një nga pikat kryesore të konfliktit në vazhdim në Lindjen e Mesme. Përpara përshkallëzimit të fundit të luftimeve, rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalonte përmes kësaj rruge strategjike detare.
Irani ka kufizuar kalimin e anijeve tregtare dhe ka qëlluar ndaj disa anijeve që i ka akuzuar për kalime të paautorizuara, ndërsa Uashingtoni ka vendosur një kundërbllokadë që synon portet dhe eksportet iraniane të naftës.
Më herët gjatë konfliktit, në Teheran dhe qytete të tjera iraniane u raportuan mungesa karburanti dhe radhë të gjata në pikat e karburantit, ndërsa presioni amerikan ka ndikuar në ekonominë e Iranit.













