Policia e Lucernës në Zvicër ka arrestuar një 49-vjeçar shqiptar, i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan rreth 2.7 kilogramë kokainë dhe afërsisht 30 gramë heroinë.
49-vjeçari u arrestua më 12 gusht në Emmenbrücke, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Lucernës.
Sipas autoriteteve zvicerane, shqiptari kishte hyrë ilegalisht në Zvicër në fillim të gushtit dhe dyshohet se kishte ardhur në vend me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Hetimet kanë zbuluar se para arrestimit, ai dyshohet se kishte shitur kokainë dhe heroinë te të paktën 20 persona.
Sipas hetuesve, një pjesë e të ardhurave që dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti kriminal ishte transferuar në një llogari bankare në Shqipëri.
Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari kishte qëndruar kryesisht në Zvicrën Qendrore. Hetimet çuan në identifikimin e tij dhe më pas në arrestimin në Emmenbrücke.
Çështja po hetohet nga Prokuroria Publike e Emmenit, e cila po drejton procedurën penale.
Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit dhe as origjinën e saktë të lëndëve narkotike.
49-vjeçari konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.












