Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në votim morën pjesë 91 deputetë, ku të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Megjithatë projektligji nuk është miratuar ende përfundimisht. Ai duhet të kalojë nëpër shqyrtim në komision dhe më pas të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë. Aleanca kërkoi që edhe votimi i dytë të bëhet sot.
Në votim nuk morën pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza theksoi se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës. Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve ndaj Speciales është, sipas tij, i drejtë dhe ka ekzistuar edhe atëherë, por nuk është marrë parasysh.
Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015.
“Ne po ju mbështesim sot”, tha ai.
Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë. Një tjetër dispozitë e propozuar lidhet me mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale. PDK-ja ka argumentuar se ndryshimet synojnë rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies ndaj punës së Dhomave të Specializuara, duke theksuar se nisma nuk synon shpërbërjen e tyre.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Lajm ne perditesim...

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë 91 deputetë.
Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.i
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
"Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe antikolonialiste. UÇK është shprehja më e lartë politiko-ushtarake që nga Lidhja e Prizrenit. UÇK ishte përgjigje ndaj gjenocidit të 4-të ndaj shqiptarëve. Çdo gjenocid i Serbisë ishte më parë i shkruar në letër dhe më pas i zbatuar në praktikë. 24 programe të Akademisë Serbe për shfarosjen etnike të popullsisë shqiptare. UÇK emri i kryengritjes së 4-të të shqiptarëve. Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq. Ka qenë kohë e shkurtër për shqyrtimin e ligjit. Këto propozime janë të ng dhe nuk janë analizuar sa duhet. Sot do të duhej të na konsultonit që çështja të trajtohej siç duhet.
Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtoheshin atyre që e votuan. Ne e kemi kundërshtuar gjykatën speciale që në fillim. Atëherë nuk na mbështetët, kurse ne sot po ju mbështesim. Po ju mbështesim sot edhe me votën në lexim të parë. Kemi treguar se dimë të bëjmë përtej dallimeve. Nuk jemi të bindur për këtë ligj. Na keni thënë që këtë ligj e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse. Po të ishe në vendin tuaj, nuk do të nxitoja. Do të prisja aktgjykimin në formë të prerë.
Duhet të keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat nesër. Të mos prodhojmë gabime duke korrigjuar një. Bashkë me këtë votë duhet të merrni përgjegjësitë politike. Adresa e fitores është APELI. Për fitore duhet organizim dhe strategji. Organizimi dhe strategjia duhet të jenë shtetërore dhe kombëtare.
Ndryshimet pozitive kërkojnë fuqi, jo shfryrje mllefi. Pas zgjedhjes së presidentit duhet të ulemi për strategjinë të qartë. Për një të tillë duhet ta kemi një shtet fort të qëndrueshëm dhe funksional në Kosovë. S’mund t’i mbrojmë ish-krerët e UÇK-së me vakum në Kosovë. Na duhet president që garanton stabilitet kushtetues. Nisma rrezikon të dështojë nëse shkojmë nga zgjedhjet në zgjedhje. Falënderoj Bedri Hamzën. Do të takohemi sërish sot ", tha Kurti.
Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës.
"Për gjakun tonë edhe për këtë Parlament edhe për drejtësinë. Dhe nuk është në emrin tim, nuk është në emrin e popullit ë Kosovës", tha Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Haradinaj tha se si përgjigje ndaj Speciales, do të ishte anulimi krejt i kësaj gjykate.
"Ligjin e sotëm Aleanca e voton dhe i kërkojmë këtij Parlamenti me mocion ta vendos në dy lexime dhe ta kryejmë sot", tha ai.
Kryetari i PDK, Bedri Hamza gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ku po shqyrtohet ndryshimi i Ligjit për Specialen, tha se lufta e UÇK-së është luftë e drejtë dhe luftë e popullit.
“Janë krijuar dhe është amandamentuar Kushtetuta në bazë të raportit i cili ka bartur në vetvete akuza të tmerrshme. Jam i sigurt që nuk ka asgjë në ato akuza. Ato nuk mund të faktohen as me prova as me fakte. Dhe me ata që Kosova e ka bërë rrugën, me ata që e ka fituar lirinë e pavarësinë, ata e kanë votuar atë gjykatë. Që ka deviju Gjykata nga ajo që është votuar, është shumë e vërtetëËshtë një çështje që i kalon përmasat e politikës. Është çështje që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen tonë. Me akuza të tilla Kosova e ka pasur të vështirë të eci përpara. Kemi një situaë absurde ku vijon pa fakte. Nuk mundet të ndërtohet diçka dhe të të thuash është legjitime. Ne nuk po kërkojmë që most ë gjykohet krimi, nuk po e mbyllim gjykatën, por kërkojmë zbatim të ligjeve të kushtetutës së Kosovës. Po kërkojmë drejtësi, ata janë dënuar në shkallë të parë po janë të pafajshëm.
Nuk ka gjykatë që nuk di ku ka llogaridhënie, për më tepër ka konstatime që ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ky është një ligj që shkon përtej Kuvendit, nuk është ligj i PDK-së. Po flasim për një projekt më të rëndësishëm, që ka sjellë lirinë e Kosovës”, tha Hamza.
Propozuesi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Përparim Gruda, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, paraqiti përmbledhjen e Projektligjit, duke thënë se për publikun në Kosovë është e njohur historia e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Projektligji edhe nëse i merr votat e mjaftueshme, kalon vetëm në parim, dhe më pas do të rikthehet në komisionet parlmentare për t'u diskutuar nen për nen", për t'u rikthyer në Kuvend më pas që të votohet në tërësi.
Për gjithë opinionin publik të Kosovës është e njohur historia e Gjykatës Speciale në Hagë. Ajo u themelua mbi pretendimet e raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të paraqitur nga Dick Marty, që në thelb kishte akuza për trafikim të organeve nga UÇK-ja. Procesi gjashtëvjeçar i gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, akuzat dhe vendimet e shkallës së parë, nuk e kanë vërtetuar... se kishte trafikim të organeve. Ky ligj nuk ia heq të drejtën Gjykatës Speciale për të vazhduar hetimin e akuzës për trafikim të organeve, por ky ligj bën vetëm një gjë, e heq një pjesë të juridiksionit të Gjykatës Speciale, atë që ka të bëjë me krimet e luftës”, tha ai.
Sipas tij, Gjykata Speciale do të vazhdojë të ekzistojë për qëllimet për të cilat është themeluar, përfshirë hetimin e pretendimeve për trafikim të organeve.
Me thirrjen “Votojeni ligjin” qytetarët po protestojnë para Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa kanë brohoritur njëzëri edhe UÇK, qytetarët mbajnë në duar edhe pankarta 'Jo në emrin tim' dhe 'Liria ka emër'
Protesta është thirrur nga Organizatat e dala nga lufta dhe platforma “Jo në emrin tim”.
Në Komisionin për Legjislacion mëngjesin e sotëm është votuar në parim projektligji për ndryshim të Ligjit për Specialen.

Dhjetëra protestues janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të votojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Disa prej protestuesve kanë kaluar edhe natën para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie dhe për të bërë presion që kërkesa e tyre të merret parasysh nga deputetët.
Protestuesit kanë bërë thirrje që deputetët të votojnë ndryshimet e propozuara në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para Kuvendit deri në përfundimin e procesit parlamentar.
Ata shprehen se ndryshimi i ligjit është i nevojshëm dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin nismën./ KosovaPress
Komisioni për Legjislacion e ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nëntë deputetë të pranishëm votuan në favor, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji pritet të kalojë tani në seancën e Kuvendit, e cila është caktuar të nisë në orën 09:00.
“E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, tha deputeti i PDK Përparim Gruda.
Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli tha se deputetët e LVV-së do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.
“Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, tha ai.







Komente
Komento