Rënie historike e Merzit, Sondazhet: Vetëm 10% e gjermanëve janë të kënaqur me punën e qeverisë dhe Kancelarit
Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer në bazat e tyre në territorin amerikan bombarduesit me rreze të gjatë veprimi që ishin dislokuar në bazën ajrore RAF Fairford në Britani.
Lëvizja vjen pak ditë pasi autoritetet britanike arrestuan disa persona në kuadër të hetimeve për një komplot të dyshuar iranian, që dyshohet se kishte në shënjestër bazën ku ndodheshin avionët amerikanë.
Një zyrtar amerikan konfirmoi për CNN se të gjithë bombarduesit amerikanë të dislokuar në RAF Fairford janë rikthyer në bazat e tyre në SHBA. Megjithatë, zyrtari nuk dha detaje mbi arsyen konkrete të tërheqjes së avionëve.
Sipas një burimi të njohur me situatën, kërcënimi i fundit është konsideruar një “incident real në terren”. Burimi theksoi se është e pazakontë që ushtria amerikane të vendosë t’i rikthejë bombarduesit në bazat e tyre në SHBA, në vend që t’i zhvendosë në një tjetër bazë në rajon.
Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë mbi zhvillimet.
RAF Fairford është përdorur nga SHBA për dislokimin e bombarduesve B-1, të cilët kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake kundër Iranit. Baza shërben gjithashtu si pikë operimi për US Global Strike Command, struktura amerikane përgjegjëse për menaxhimin e kapaciteteve të sulmeve me rreze të gjatë.
Tërheqja e avionëve amerikanë vjen në një moment kur autoritetet britanike po hetojnë një komplot të dyshuar për të goditur bazën ajrore.
Më 27 shtator, policia britanike arrestoi pesë persona, nën dyshimet për vepra terroriste dhe shkelje të lidhura me eksplozivët, pranë bazës. Të arrestuarit, britanikë të moshave 23 deri në 25 vjeç nga zona e Londrës, u liruan më pas me kusht. Policia konfirmoi se nuk u gjetën eksplozivë në tre furgonët që u kontrolluan në vendngjarje.
Lirimi i tyre shkaktoi reagimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se ai nuk do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.
Në kuadër të hetimeve, të enjten u arrestua gjithashtu një 25-vjeçar me shtetësi britanike dhe iraniane, në lidhje me komplotin e dyshuar.
Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi javën e kaluar se kishte “tregues të fortë” për përfshirjen e Iranit në këtë incident.
“Do të themi më shumë në kohën e duhur, por mund të konfirmojmë se besojmë që Irani ka luajtur një rol”, tha ai për BBC më 30 shtator.
Deklaratat e tij duket se mbështesin vlerësimin amerikan se pas incidentit qëndron një aktor i huaj. Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se në komplot ishte përfshirë “dora e një aktori të huaj”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Irani ka mohuar çdo përfshirje në incident, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Teherani ka thirrur ambasadorin britanik për të dhënë shpjegime. Gjatë takimit, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, i kërkoi Londrës të rishikojë atë që e konsideroi si qasje “të papërshtatshme” ndaj Iranit.
Zhvendosja e bombarduesve amerikanë nga RAF Fairford dhe hetimet britanike vijnë në një klimë të tensionuar mes SHBA-së, Britanisë dhe Iranit, ndërsa autoritetet vijojnë të hetojnë rrethanat dhe autorët e dyshuar të komplotit.
Top Channel