Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë sot, në orën 09:00, nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa kjo nismë do të jetë pika e parë e rendit të ditës.
Nisma për ndryshimin e ligjit është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, disa ditë pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së. Kjo nisëm synon ndryshimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Ndryshimet parashohin gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, si dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Po ashtu, parashihet që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Shqyrtimi i kësaj nisme po zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike, kur Kuvendi i Kosovës po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për këtë çështje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë për zgjidhjen e ngërçit politik, por kërkesa kryesore mbetet aprovimi final i ligjit për specialen. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
