Ditën e sotme nis viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Universiteti i Tiranës vijon të mbetet zgjedhja e parë për maturantët, duke ruajtur pozicionin e tij si një nga institucionet më të preferuara të arsimit të lartë në vend.
Sipas të dhënave, në të gjithë vendin janë rreth 120 mijë studentë, ndërsa 20 mijë prej tyre janë studentë të vitit të parë, të cilët ulen sot për herë të parë në auditoret universitare.
Këtë vit ndër degët më të preferuara janë ato që lidhen me fushën e mjekësisë, teknologjisë së informacionit dhe inxhinierive, të ndjekura nga programet e ekonomi-financë.
Për nisjen e vitit të ri akademik ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale u ka uruar sukses të gjithë studentëve.
"Vit të mbarë akademik! Sot universitetet hapin dyert për një tjetër vit me auditore plot, ide, kërkim dhe ëndrra që projektohen për t’u realizuar, teksa formësojnë profesionistë, e mbi të gjitha qytetarë të mirë. Suksese të gjithë studentëve!" shkruan ajo
