Një 20-vjeçar nga fshati Pus i Thatë, në Has, rezulton i humbur që prej mbrëmjes së djeshme, rreth orës 20:00. Bëhet fjalë për shtetasin Shkëllzen Kastrati, i cili ishte nisur drejt bjeshkëve të Pusit të Thatë për të kërkuar lopët që kishte në kullotë, pasi ato nuk ishin kthyer në banesë si zakonisht.
Që prej mbrëmjes së djeshme, i riu nuk është kthyer në banesë dhe ka humbur çdo kontakt me familjarët. Sipas familjarëve, 20-vjeçari ka edhe probleme të lehta të shëndetit mendor, e cila e ka shtuar edhe më shumë shqetësimin e tyre për fatin e tij.
Pasi kaluan disa orë dhe i riu nuk po kthehej në banesë, familjarët, banorë të zonës dhe gjuetarë kanë nisur kërkimet në bjeshkët e Pusit të Thatë, në zonën ku dyshohet se mund të ketë humbur gjurmët.
Situata vështirësohet edhe më tej nga fakti se i riu e ka lënë telefonin e tij në shtëpi, duke e bërë të pamundur kontaktimin me të. Familjarët kanë njoftuar edhe Policinë e Kukësit, ndërsa kërkimet për gjetjen e 20-vjeçarit vijojnë në terrenin malor.
