
Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në mbarë Spanjën, duke kërkuar mbrojtje më të madhe për qiramarrësit, pasi qeveria dështoi të miratonte legjislacionin e urgjencës për strehimin.
Të shtunën u zhvilluan rreth 50 marshime në qytete të ndryshme, përfshirë Madridin, Valencian dhe Barcelonën.
"Ka shumë zemërim në rrugë," deklaroi një zëdhënës i Sindikatës së Qiramarrësve të Valencias. Në këtë qytet pati përplasje midis disa protestuesve dhe policisë.
Masat e propozuara të premten nga qeveria e koalicionit të majtë të Pedro Sánchez-it pasuan reagimin e ashpër publik lidhur me dëbimin nga shtëpia të një gruaje 87-vjeçare muajin e kaluar, pasi ajo nuk mundi të përballonte rritjen e menjëhershme të qirasë.
Dëbimi i saj nxiti protesta në mbarë Spanjën, ku protestuesit kërkuan ulje të qirave, ndalim të dëbimeve dhe ndalim të blerjes së pronave nga fondet e investimeve të cilat qeveria i ka quajtur "fondet grabitqare".
Dështimi i Sánchez-it në Kongres të premten shton spekulimet se ai mund të shpallë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, të cilat ishin planifikuar fillimisht për verën e ardhshme.
Qeveria e tij e koalicionit, e përbërë nga Partia Socialiste në pushtet dhe partneri më i vogël, aleanca Sumar, nuk zotëron shumicën në parlament. Protestuesit kanë kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e Santos. Versus.al

