Para diçka si dy muajsh – më 8 gusht 2026 – kisha përmendur, tek eseja Të vrasësh me muzikë botuar në Peizazhe të fjalës, një pasazh të këngës XXI të Odisesë, ku Homeri krahason gjestet e heroit, që nis të bëjë gati harkun e vet madhështor, me ato të një mjeshtri muzikor që akordon lirën.
Ashtu e zgjeroja pastaj temën – dhe argumentin – e esesë, duke vënë në dukje ngjashmëritë jo të pakta mes një instrumenti me tel dhe harkut të harkëtarit, ngjashmëri të cilat imponojnë një hapësirë të përbashkët mes muzikës dhe vrasjes; por edhe duke vërejtur që harku i harkëtarit mund të luhet drejtpërdrejt si vegël muzikore, duke e pickuar ose goditur kordën; por ka gjithnjë nevojë për shigjetën që të shndërrohet në armë.
Nuk e kisha parë ende filmin Odiseja të Nolanit dhe nuk kisha nga ta dija që, në skenën kur heroi arrin çka rivalët e tij nuk mundën dhe ta shtrëngojë kordën e harkut e vet të pabindur, ai edhe “i bie” harkut si të ishte një lloj instrumenti muzikor, duke ia pickuar kordën. Harku lëshon ashtu një tingull që, siç do ta lexoja në një nga recensionet e filmit, gjatë xhirimit ishte përftuar me harpë.
Në shkrimin tim e përmendja edhe harpën, si një instrument që, nëpërmjet imazhit të lirës, më ka çuar gjithnjë në Greqinë e lashtë dhe në mbrëmjet ku rapsodët rrëfejnë legjendat të cilat, më pas, do ta rindërtojnë vetë Greqinë e lashtë, për mijëvjeçarët që do të vinin.
Fjala rapsod vjen nga greqishtja e vjetër, rhapsōidos (ῥαψῳδός), që literalisht e sipas një shpjegimi të preferuar nga shumia e dijetarëve do të thotë “qepës, thurës, endës i këngëve” – meqë mendohej se rapsodi, ky artist shëtitës që përcillte poezinë epike, e bënte këtë duke i “qepur” së bashku vargjet, formulat dhe historitë që mbante mend në një performancë unike për ata që e dëgjonin. Sipas Britannica, ka dy pasazhe – njëri nga Hesiodi i shek. VII p.e.s. dhe tjetri nga Pindari, ku përdoret fjala rhaptein për të përshkruar aktin e hartimit poetik. Ideja këtu është se rapsodët recitonin vetëm krijimet e të tjerëve, ndryshe nga aedët ose bardët, që i krijonin poemat vetë, sa herë që uleshin për të recituar.
E njihja këtë marrëdhënie etimologjike të rapsodit me qepjen, thurjen dhe endjen e poemave epike; tek e fundit, metafora ka mbijetuar edhe në gjuhët moderne – a nuk përdorim në shqipe, sot e kësaj dite, shprehje thur këngë apo thur vargje? Ngjashëm, folja tessere e italishtes, që është vazhduese e latinishtes tĕxĕre, shënjon jo vetëm thurjen e pëlhurës në vegjë, por edhe hartimin e një teksti me pretendime artistike. Çfarë më kujtoi filmi – edhe pse tejet evidente, tani që e mendoj – është pranëvënia në poemë e harkut (të harkëtarit, të muzikantit) me vegjën, ku thur Penelopa qefinin e pafund.
Madje regjisori Nolan e ka ndërtuar skenografinë ku zhvillohet krejt pjesa e tretë e filmit në mënyrë të tillë, ku Penelopën vetëm një grilë druri ta ndajë prej sallës ku hanë e pinë mëtonjësit (pretendentët); si të ishte, Penelopa, gjithë kohës aktore në skenën e pallatit mbretëror të Italës, duke e performuar thurjen për të gjithë ata që e presin të mbarojë punë. Pamja e saj, e ulur në vegjë, duke punuar me gishta për të endur qefinin, të kujton menjëherë një harpiste që ka dalë të luajë, në harpë, para publikut.
Në Greqinë e lashtë, me endjen e pëlhurës (kryesisht nga fijet e lirit) dhe thurjen e leshit merreshin të gjitha vajzat dhe gratë, por veçanërisht gratë pjesë e elitës; teksa rrobat i qepnin gratë e shtresave më të ulëta. Endja shënjonte virtytin shtëpiak, martesën, ritualin dhe mbajtjen e zisë – tekstili ishte njëherazi indi që e mbante bashkë shoqërinë greke antike.
© 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje