
Partia e Millorad Dodikut shpalli fitoren në zgjedhjet në Republikën Sërpska - entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës.
Fitore shënuan partitë nacionaliste edhe në pjesë të tjera të vendit - rezultate këto që mund t’i mbajnë të larta tensionet si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në rajon.
“Kemi fituar”, u tha Dodik mbështetësve të tij në Banjallukë, të dielën vonë.
Sipas tij, rezultatet preliminare tregojnë se Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, do të mbetet në pushtet në Republikën Sërpska.
Qytetarët votuan më 4 tetor për Presidencën trepalëshe dhe Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe për organet legjislative në nivele të tjera, përfshirë Kuvendin e Republikës Sërpska.
Ky sistem kompleks politik buron nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Bosnje dhe Hercegovina u nda në dy entitete me autonomi të gjerë - Republikën Sërpska dhe Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, me shumicë boshnjake dhe kroate.
Të dyja ato lidhen përmes institucioneve qendrore të shtetit, të cilat shpesh kanë funksionuar me vështirësi.
Në fjalimin pas zgjedhjeve, politikani prorus, Dodik, tha se, bazuar në rezultatet pas numërimit të 92 për qind të votave, kandidatja e SNSD-së, Zhelka Cvijanoviq, do të bëhet anëtare e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës.
Anëtari aktual properëndimor i Presidencës, Denis Beqiroviq, pritet ta fitojë ulësen boshnjake.
Atyre pritet t’u bashkohet edhe Darijana Filipoviq nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), e cila parashikohet ta fitojë ulësen kroate.
Në moshën 39-vjeçare, Filipoviq pritet të bëhet anëtarja më e re e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.
Dodik, i cili prej kohësh kërkon më shumë autonomi për Republikën Sërpska nga institucionet qendrore të Bosnje dhe Hercegovinës, shpesh duke përdorur edhe retorikë për ndarje, falënderoi presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për fitoren.
“Po të mos ishte fitorja madhështore e Donald Trumpit... ne sot ndoshta do të ishim kufoma politike”, u tha ai mbështetësve.
“Por tani, falë rrethanave të reja, ne jemi fitues politikë”, tha ai, duke falënderuar edhe presidentin rus, Vladimir Putin.
“Qëndrimet tona politike mbeten të palëkundura dhe nuk do të heqim dorë prej tyre. Do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të popullit tonë”, tha Dodik.
Ish-udhëheqësi i Republikës Sërpska, Dodik, 67 vjeç, nuk ishte kandidat në këto zgjedhje, pasi i është ndaluar mbajtja e posteve publike.
Megjithatë, portreti i tij shihej në billborde në mbarë Republikën Sërpska, ku ai vazhdon të ketë ndikim të madh politik. REL

