Një rast i rëndë abuzimi seksual në një qendër kujdesi për persona me aftësi të kufizuara intelektuale ka tronditur Korenë e Jugut. Drejtori i institucionit, i identifikuar vetëm me mbiemrin Kim, është dënuar me 15 vite burg, pasi gjykata e shpalli fajtor për abuzimin seksual të tre grave që jetonin në qendër.
Institucioni ndodhet në Incheon dhe financohet nga shteti. Kim i ka mohuar akuzat dhe ka apeluar vendimin.
Një prej viktimave, Seo Mi-hyeon, tashmë në të 40-at, vendosi të flasë pasi kishte kaluar vite duke e mbajtur të fshehtë atë që i kishte ndodhur.
“Po vuaja nga brenda, kështu që erdha të tregoja historinë time”, u tha ajo autoriteteve.
Seo kishte nisur të jetonte në qendrën Saekdongwon në vitin 2016. Sipas dëshmisë së saj, abuzimi seksual nisi pak kohë pas transferimit dhe vazhdoi për vite me radhë.
Ajo tregoi se Kim hynte në dhomën e saj gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit dhe e përdhunonte. Seo tha se në institucion nuk kishte një të rritur të cilit mund t’i besonte dhe kishte frikë se pjesëtarët e tjerë të stafit nuk do ta ndihmonin.
Për këtë arsye, sipas saj, abuzimi vazhdoi për gati një dekadë.
Plaga që zbuloi abuzimin
Rasti u bë publik në shkurt 2025, pas një incidenti që ndryshoi gjithçka.
Seo pësoi një plagë në kokë teksa përpiqej t’i shpëtonte një tjetër sulmi seksual. Ajo dëshmoi se kishte përdorur duart për të ndaluar Kim-in, ndërsa ai reagoi duke i hedhur një gotë.
Institucioni e dërgoi në spital, ndërsa nënën e saj e njoftoi vetëm pasi plaga ishte qepur. Nëna kërkoi të shihte pamjet e kamerave të sigurisë, por kërkesa iu refuzua.
Ajo vendosi më pas ta merrte vajzën përgjithmonë në shtëpi.
Seo i tregoi nënës për abuzimin vetëm pasi kuptoi se nuk do të duhej të kthehej më në institucion.
“Mendova se mund të flisja me siguri sepse më thanë se nuk do të duhej të kthehesha”, tha ajo përmes avokates së saj.
Kur u pyet se si kishte mundur të jetonte për kaq shumë vite me atë që po i ndodhte, përgjigjja e saj ishte e shkurtër:
“Thjesht e durova”.
Hetimi zbuloi edhe dy viktima të tjera
Pas denoncimit të Seo-s, hetimi policor u zgjerua. Autoritetet identifikuan edhe dy gra të tjera që raportuan se ishin abuzuar seksualisht nga Kim.
Gjykata i konsideroi të besueshme dëshmitë e të treja.
Kim u dënua me 15 vite burg për përdhunimin e Seo-s dhe një tjetër viktime. Për gruan e tretë, ai u shpall fajtor për një formë më të lehtë të dhunës seksuale, pasi gjykata vlerësoi se nuk ishte provuar në masën e nevojshme përdorimi i forcës ose kërcënimit për të dëshmuar pamundësinë e saj për të rezistuar.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Aktivistët argumentuan se aftësia fizike e një viktime për të rezistuar nuk duhet të jetë kriter vendimtar për përcaktimin e një sulmi seksual, veçanërisht në rastet kur viktimat kanë aftësi të kufizuara intelektuale ose vështirësi në komunikim.
Dyshimet: mund të ketë edhe më shumë viktima
Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga grupet e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është mundësia që numri i viktimave të jetë shumë më i madh.
Një vlerësim i kryer nga një ekip i Universitetit Woosuk, me kërkesë të autoriteteve lokale, sugjeroi se të paktën 10 banorë të tjerë mund të kenë qenë viktima të abuzimit seksual nga Kim.
Megjithatë, këto dyshime nuk u trajtuan plotësisht gjatë procesit gjyqësor.
Hetuesit u përballën me vështirësi të mëdha në marrjen e dëshmive, pasi shumë prej banorëve kishin aftësi të rënda të kufizuara dhe probleme serioze në komunikim. Disa nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin pyetjeve, ndërsa të tjerë dhanë përgjigje që nuk lidhnin qartë me ngjarjet që po hetoheshin.
Profesor Jeon Ji-soo, drejtues i ekipit kërkimor të Universitetit Woosuk, tha se në praktikë po merreshin parasysh kryesisht dëshmitë e personave që ishin në gjendje ta përshkruanin abuzimin me fjali të plota.
Për aktivistët, kjo përbën një problem serioz.
Ata argumentojnë se institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë mënyra më të përshtatshme për të marrë dhe interpretuar dëshmitë e personave me vështirësi në komunikim, në mënyrë që kufizimet e tyre të mos bëhen pengesë për zbulimin dhe ndëshkimin e abuzimit.













