Studiuesi Taulant Muka ka komentuar në emisionin “Kafe Shqeto” me Gerta Taganin raportin e FMN-së për arsimin në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të saktë të problemeve që, sipas tij, janë evidentuar prej kohësh.
Muka tha se Shqipëria prodhon shumë diploma, por ato nuk përkthehen në produktivitet, ndërsa mungojnë universitetet cilësore, kërkimi shkencor dhe orientimi i degëve të studimit drejt nevojave të zhvillimit ekonomik.
Muka e lidhi këtë situatë edhe me përgjegjësinë e politikave të ndjekura në arsim, duke sjellë si shembull rastin e plagjiaturës së ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi. Sipas tij, fakti që persona që nuk kuptojnë bazat e një artikulli shkencor kanë hartuar politika për arsimin parauniversitar dhe universitar ka sjellë dëme të mëdha, që pasqyrohen edhe në të dhënat e FMN-së. Ai veçoi krizën e shkencave ekzakte, ku Shqipëria ka nivele shumë të ulëta diplomimesh në biologji, kimi dhe matematikë, krahasuar me vendet e rajonit dhe BE-në.
Muka: Raporti i FMN është një pasqyrë e drejtë dhe e saktë që shumë prej nesh e kanë thënë prej kohësh tashmë. Ne kemi një problem me arsimin cilësor, pasi prodhojmë shumë diploma por nuk përkthehen në produktivitet, sepse të përkthehen në produktivitet duhet të jenë cilësore, pra universitetet duhet të kenë katedra shkencëtare të cilët lidhen me zhvillimet e fundit me fushat e tyre përkatëse, duhet që fushat e studimit të orjentohen drejt zhvillimit ekonomik të vendit dhe duhen dhënë stimujt e duhur që të rinjtë të qëndrojnë në vend. Shumica e këtyre gjërave mungojnë në Shqipëri. Ju e patë me plagjiaturën e ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi ku tregonte injorancën e vetë ku nuk dinte bazat e një artikulli shkencor dhe mendo që njerëz të tillë kanë hartuar politikat në arsim, përfshi arsimin e lartë.
Zonja Evis Kushi kishte bërë një artikull ku ishte autore e dytë dhe e fundit, dhe kur gazetari shkoi dhe e pyeti që jeni kapur në plagjiaturë, në vend që të ulte kokën dhe të ndihej e turpëruar, thoshte me sigurinë e budallaqes që autori i dytë mbledh të dhënat dhe nuk ka faj në këtë rast. Nuk kupton rolin që ka. Të dhënat ishin kopje dhe skandali rritej edhe më shumë. Duhet kuptuar se sa e rëndë është pasi këta persona janë vendosur aty për të bërë politikat e arsimit parauniversitar dhe universitar. Duke qënë analfabet funksionalë në fushën e arsimit dhe shkencës, imagjinoni dëmin e madh që i kanë bërë vendit tonë pikërisht me këto statistika që e tregon FMN-ja. Kemi një problem të jashtëzakonshëm me shkencat ekzakte. Shumë pak studentë shkojnë për biologji, kimi, matematikë.
© SYRI.net