Dodik dhe partitë nacionaliste dominojnë zgjedhjet në Bosnje

Partia e Millorad Dodikut shpalli fitoren në zgjedhjet në Republikën Sërpska – entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës.
Fitore shënuan partitë nacionaliste edhe në pjesë të tjera të vendit – rezultate këto që mund t’i mbajnë të larta tensionet si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në rajon.
“Kemi fituar”, u tha Dodik mbështetësve të tij në Banjallukë, të dielën vonë.
Sipas tij, rezultatet preliminare tregojnë se Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, do të mbetet në pushtet në Republikën Sërpska.
Qytetarët votuan më 4 tetor për Presidencën trepalëshe dhe Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe për organet legjislative në nivele të tjera, përfshirë Kuvendin e Republikës Sërpska.
Ky sistem kompleks politik buron nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Bosnje dhe Hercegovina u nda në dy entitete me autonomi të gjerë – Republikën Sërpska dhe Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, me shumicë boshnjake dhe kroate.
Të dyja ato lidhen përmes institucioneve qendrore të shtetit, të cilat shpesh kanë funksionuar me vështirësi.
Në fjalimin pas zgjedhjeve, politikani prorus, Dodik, tha se, bazuar në rezultatet pas numërimit të 92 për qind të votave, kandidatja e SNSD-së, Zhelka Cvijanoviq, do të bëhet anëtare e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës.
Anëtari aktual properëndimor i Presidencës, Denis Beqiroviq, pritet ta fitojë ulësen boshnjake.
Atyre pritet t’u bashkohet edhe Darijana Filipoviq nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), e cila parashikohet ta fitojë ulësen kroate.
Në moshën 39-vjeçare, Filipoviq pritet të bëhet anëtarja më e re e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.
Falënderime për Trumpin dhe Putinin
Dodik, i cili prej kohësh kërkon më shumë autonomi për Republikën Sërpska nga institucionet qendrore të Bosnje dhe Hercegovinës, shpesh duke përdorur edhe retorikë për ndarje, falënderoi presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për fitoren.
“Po të mos ishte fitorja madhështore e Donald Trumpit… ne sot ndoshta do të ishim kufoma politike”, u tha ai mbështetësve.
“Por tani, falë rrethanave të reja, ne jemi fitues politikë”, tha ai, duke falënderuar edhe presidentin rus, Vladimir Putin.
“Qëndrimet tona politike mbeten të palëkundura dhe nuk do të heqim dorë prej tyre. Do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të popullit tonë”, tha Dodik.
Ish-udhëheqësi i Republikës Sërpska, Dodik, 67 vjeç, nuk ishte kandidat në këto zgjedhje, pasi i është ndaluar mbajtja e posteve publike.
Megjithatë, portreti i tij shihej në billborde në mbarë Republikën Sërpska, ku ai vazhdon të ketë ndikim të madh politik.
Dodik dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska ishin më herët nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për shkelje të pretenduara të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe për refuzimin e zbatimit të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar për paqe.
Megjithatë, më 29 tetor 2025, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se Dodik dhe dhjetëra aleatë të tij ishin hequr nga lista e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Departamenti i Thesarit nuk dha hollësi për arsyet e këtij vendimi.
Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Sërpska, Dodik u përball me kritika për prirje autoritare, dobësim të institucioneve demokratike dhe krijimin e një sistemi të patronazhit politik.
Në një tubim parazgjedhor, Dodik bëri thirrje për heqjen e kufirit mes Republikës Sërpska dhe Serbisë.
Edhe politikanë të tjerë nacionalistë kanë kërkuar bashkimin e këtij entiteti me Serbinë.
SDA-ja kryeson në garën për Parlament
Ndërkohë, partitë me orientim etno-nacionalist duket se kanë shënuar rezultate të forta edhe në zgjedhjet për Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas rezultateve preliminare, Partia e Veprimit Demokratik (SDA) ka marrë numrin më të madh të votave në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës.
Pas saj renditen Partia Socialdemokrate e Bosnje dhe Hercegovinës (SDP BiH) dhe Bashkimi Demokratik Kroat i Bosnje dhe Hercegovinës (HDZ BiH).
SNSD-ja dhe Dodik janë haptazi prorusë dhe kundërshtojnë anëtarësimin në NATO, ndërsa SDA-ja, HDZ-ja dhe SDP-ja mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO.
Anëtari kroat në largim i Presidencës, Zhelko Komshiq, tha se rezultatet e forta të partive nacionaliste pasqyrojnë një konsolidim gjithnjë e më të madh të votuesve përgjatë vijave etnike.
“Është e qartë se në të gjitha pjesët e Bosnje dhe Hercegovinës ka ndodhur një homogjenizim etnik i elektoratit”, tha Komshiq, duke shtuar se zgjedhjet treguan se “ideja e një shteti qytetar, aktualisht, nuk gëzon mbështetje të gjerë elektorale”.
Ndonëse ndarjet politike vazhdojnë të pasqyrojnë konfliktin e viteve 1990, një risi në këto zgjedhje ishte verifikimi biometrik i votuesve dhe përdorimi i skanerëve të fletëvotimeve.
Problemet teknike bënë që disa vendvotime të hapeshin më vonë se ishte planifikuar.
Bosnje dhe Hercegovina është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e zbaton këtë sistem në të gjithë territorin.
Masa u vendos nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar, si pjesë e reformave që synojnë forcimin e integritetit të zgjedhjeve në kuadër të sistemit të krijuar me Marrëveshjen e Dejtonit./rel




