Lavdia, kjo sëmundje e ëmbël

5 Tetor 2026, 10:03Blog Nga Minella Aleksi

Të kërkosh lavdi nuk është ndonjë mëkat i madh. Në fund të fundit, lavdinë e kërkojnë të gjithë. Edhe ai që thotë se nuk i intereson, zakonisht do të ishte shumë i kënaqur po ta merrte. Njeriu ka një dobësi të vjetër: dëshiron të dijë se ajo që ka bërë ka pasur rëndësi për të tjerët.

Artisti e kalon një pjesë të madhe të jetës nën dritë. Është mësuar me vështrimin e publikut, me emrin e shkruar në afishe, me duartrokitjen, me komplimentin pas shfaqjes, me dikë që i thotë: “E mbaj mend atë që ke bërë.” Këto gjëra nuk janë domosdoshmërisht shënja vaniteti. Janë, në një masë të caktuar, ushqim njerëzor.

Problemi nuk është dëshira për lavdi. Problemi fillon kur lavdia humbet masën, kur vepra bëhet pretekst dhe lavdia kthehet në profesionin e dytë të artistit. Problemi është varësia prej saj.

Nga artisti shoqëria pret diçka më shumë se një profesion. Pret një lloj distance nga egoja, një aftësi për të parë edhe veten me të njëjtin sy kritik me të cilin sheh botën. Shqetësimi bëhet edhe më i madh për një arsye tjetër: arti ka qenë historikisht në avangardë të shoqërisë. Artisti është ndër ata që e ndiejnë më herët ndryshimin e kohës, që vënë në pikëpyetje normat, zbulojnë kontradiktat, nxjerrin në dritë veset dhe frikërat që shoqëria shpesh përpiqet t’i fshehë. Ai mund të jetë dëshmitar i kohës, por edhe ndërgjegje kritike e saj.

Këtu lind një paradoks: arti mund të jetë kritik ndaj egos së njeriut, ndërsa artisti mund të bëhet rob i egos së vet.

Disa artistë, me kalimin e viteve, bëhen më të vetëdijshëm për atë që kanë bërë. E njohin vlerën e tyre, por njohin edhe kufijtë e saj. Dinë çfarë kanë dhënë dhe çfarë nuk kanë dhënë. Kanë krijimtari, por kanë edhe sens mase. Tirana duket se ka zbuluar ndërkohë edhe një zhanër të ri kulturor: të mendosh sot se si do të kujtohesh nesër, shumë kohë përpara se të kesh nisur të harrohesh. Zhanri i ri nuk është teatër, megjithëse protagonistët kanë qenë të lidhur ngushtë me skenën. As dokumentar, edhe pse kamerat janë të pranishme. Megjithëse ka jetëshkrim, nuk është biografi. Nuk është film, por ka skenar, regji dhe një objektiv mjaft të qartë. Zhanri i ri ka lindur nga një ndjenjë shumë e sinqertë, “Frika”. Jo frika nga vdekja. Frika e vërtetë është ajo që vjen pas saj, “Harresa”. Dhe përballë saj, disa artistë shqiptarë kanë vendosur të mos presin. Vitet e tranzicionit, ose më saktë, vitet e kaosit, nuk mund të mos nxirrnin në dritë edhe këtë ves të vjetër të mendësisë shqiptare: dëshirën për t’i paraprirë harresës.

Ata nuk kanë ndërmend t’ia lënë fatin e kujtesës rastësisë, publikut, historisë apo, larg qoftë, vetëm cilësisë së veprës.

Kanë kuptuar një të vërtetë të madhe të kohës sonë se, nëse nuk e regjistron vetë pavdekësinë, mund të ndodhë që pas vdekjes të mos ketë kush të merret me të. Dhe në skenë del “Regjia e pavdekësisë”, eliksiri magjik kundër Harresës. A është kjo thjeshtë një “mungesë vetëbesimi”? Apo diçka më shumë? Nga këndvështrimi i Carl Jung-ut, dhe psikologjisë analitike, kjo mund të shihet si një “marrëdhënie e papërfunduar” e artistit me veten. Gjë që do të thotë se njeriu nuk është gjithmonë plotësisht i pajtuar me atë që është. Brënda tij bashkëjetojnë dëshirat, frikërat, dobësitë, ambiciet dhe sidomos ato pjesë që nuk përputhen me imazhin që ka krijuar për veten. Misteri është i thjeshtë, por jo i vogël: Pse vlera e artistit duhet të ketë një kor dëshmitarësh për t'u ndier e vërtetë? Mardhënia mbetet e papërfunduar sepse artisti nuk ka arritur ta mbajë në të njëjtën hapësirë talentin dhe kufizimin, suksesin dhe dështimin, lavdinë dhe harresën. Për këtë arsye krijon një figurë publike gjithnjë e më të madhe, sikur duke e zmadhuar imazhin të mund të mbushë boshllëkun që nuk është zgjidhur brenda tij. Kështu lind një konflikt i heshtur: artisti nuk lufton më vetëm me botën për t’u njohur; lufton me veten për t'a besuar imazhin që ka krijuar për veten.

Maska sociale, ose imazhi publik i artistit, është ajo që njeriu ndërton për tu paraqitur përpara botës. Për artistin mund të jetë figura e krijuesit të sigurtë, të afirmuar, të admiruar, të rëndësishëm. Ndërkohë që ana e tij e brëndshme, Hija, mbart pasiguritë, etjen për njohje, zilinë, frikën e harresës apo nevojën për lavdi. Aspekte të vetes që njeriu mund të mos dëshirojë t'i shohë apo t'ua tregojë të tjerëve. Prandaj pyetja zhvendoset nga: “Kush jam” në “Si më shohin të tjerët”. Dhe kështu, lavdia, admirimi dhe miratimi bëhen prova të jashtme, të një vlere që ende nuk është siguruar brënda. Përplasja mes tyre është drama e brendshme e artistit. Sepse sa më shumë që imazhi kërkon të duket i madhërishëm, aq më shumë “Hija” brënda tij mund t'i pëshpërisë: “Po sikur të mos jesh?” Artisti i sigurtë brënda vetes nuk është domosdoshmërisht indiferent ndaj lavdisë. Ai thjeshtë nuk është i varur prej saj. Vepra i jep një dëshmi më të qëndrueshme se çdo deklaratë publike. Në fund të fundit ai që e ka bukurinë nuk ka nevojë të organizojë dëshmitarët e saj. Ndërsa ai që ka nevojë të bindë të tjerët për bukurinë e vet, fillon të merret më shumë me pasqyrën sesa me fytyrën.

Lavdia, në këtë rast, nuk shërben vetëm për t’u parë nga të tjerët. Mund të shërbejë edhe si mburojë kundër një pjese të vetes që njeriu nuk dëshiron ta shohë. Por ka një problem. Edhe kur artisti nuk ua tregon të tjerëve atë pjesë, të tjerët mund të shohin gjurmët e saj. P.sh. Artisti i dështuar në profesion, nga aktor kthehet në kritikë arti, nga piktor në autor albumesh pikture, madje sa më shumë portrete miqsh aq më shumë rriten gradët e madhështisë, nga shkrimtar në eseist që skicon portrete njerëzore. Ose krijohet “Artisti Universal”, pak nga të gjitha, (aktor, prezantues, regjizor për disa zhanre, humorist, karikaturist, piktor me orë të reduktuara), Këta të gjithë çfaqin shënja dhe sjellje që kanë mardhënie të papërfunduara me veten. Rroftë Lavdia! Harresa, larg qoftë!

Njeriu mund të kontrollojë atë që thotë për veten. Është shumë më e vështirë të kontrolloj mënyrën si reagon ndaj kritikës, si sillet kur nuk duartrokitet, sa shpesh e përmend veten, sa shumë shqetësohet për imazhin e tij apo çfarë ndodh kur drita e duartrokitjes fiket. Të tjerët nuk shohin domosdoshmërisht “sekretet” e Hijes. Shikojnë shënjat e saj. Hedh një kujtim mbi tavolinë; dikush e vazhdon. Përmend një arritje si pa të keq; dikush tjetër e quan “të jashtëzakonshme”. Kujton një takim të vjetër me një figurë të njohur, por harron të shpjegojë pse po e kujton pikërisht tani, një përshëndetje nga një mik i huaj shndërrohet në referencë ndërkombëtare. Pastaj vjen intervista, homazhi, përvjetori, fotografia, publikimi, takimi.

Dhe artisti tërhiqet pak mënjanë, me atë modestinë e stërvitur të njeriut që duket sikur po turpërohet nga lavdërimi, ndërkohë që ka bërë gjithçka që lavdërimi të ndodhë. Lavdia e vërtetë ka një të metë të tmerrshme për egon: nuk komandohet. Ajo ose lind vetvetiu, ose nuk lind fare. Prandaj, kur mungon, prodhohet. Kështu miqtë mund të bëhen dëshmitarë, kolegët biografë, admiruesit propagandues pa pagesë. Mjafton një pyetje. Një kujtim i provokuar me kujdes. Një rast që duket spontan. Mjeshtëria qëndron pikërisht këtu: ta bësh lavdinë e kërkuar të duket si lavdi spontane.

Dhe aty shfaqen format më të sofistikuara të vetëlartësimit: të flasësh për veten në vetën e tretë përmes gojës së dikujt tjetër; të mbledhësh rreth vetes njerëz që konfirmojnë versionin tënd; të ushqesh kujtime të zgjedhura dhe të lësh në hije ato që prishin portretin; të krijosh një rreth admirimi ku komplimenti kthehet në monedhë shkëmbimi. Spontanisht dikush hedh idenë që t'a propozojmë për qytetar nderi, kryetar bashkie, apo kryetar të komsionit të çmimeve vjetore në përkthim, etj..

Raporti me të vërtetën e vendos artistin në një pozitë të veçantë ndaj shoqërisë. Artisti nuk është domosdoshmërisht ai që e zotëron të vërtetën, por ai që ka detyrimin ta kërkojë, ta shqyrtojë dhe, kur është e nevojshme, ta nxjerrë në dritë edhe atëherë kur ajo nuk është e bukur.

Prandaj arti nuk mund të jetojë gjatë në marrëdhënie të rehatshme me vetëgënjimin. Ai mund të luajë me iluzionin, ta shndërrojë në metaforë, ta fshehë pas një personazhi apo një figure, por në thelb kërkon të zbulojë diçka.

Kur imazhi i artistit bëhet më i madh se njeriu, publiku thotë: “Nuk është i vërtetë”. Raporti me të vërtetën përjetohet si krizë identiteti. Sepse sa më shumë “Vetja” kërkon të duket e madhërishme, aq më shumë “Hija” brënda tij mund të pëshpërisë: “Po sikur të mos jesh?”

Mjafton të shohësh si ai sillet, kur drita e duartrokitjes fiket. Në këtë kuptim, të tjerët nuk i shohin domosdoshmërisht “sekretet” e hijes së tij; shohin shënjat e saj. Çdo gjest, çdo marrëdhënie, çdo shfaqje publike bëhet pjesë e një regjizure të vogël për lavdinë e vet.

Ai nuk thotë gjithmonë: “Flisni për madhështinë time.” Kjo do të ishte tepër e trashë. Më e sofistikuar është t’i krijojë rrethanat që të tjerët ta thonë vetë. Lavdia e vërtetë ka një të metë të tmerrshme për egon: nuk komandohet. Ajo ose lind vetvetiu, ose nuk lind fare. Prandaj, kur mungon, prodhohet.

Ai angazhon të tjerët si kor i madhështisë së vet. Miqtë bëhen dëshmitarë, kolegët bëhen biografë, admiruesit bëhen propagandues pa pagesë. Madje ndonjëherë edhe ata që nuk e kanë ndër mend ta lavdërojnë, gjënden të futur në skenar. Mjafton një pyetje, një kujtim i provokuar me kujdes, një rast i krijuar në dukje spontanisht. Janë mjeshtër në aftësinë për ta bërë lavdinë e kërkuar të duket si lavdi spontane.

Në fund, ai nuk ka më nevojë të thotë “jam i madh”. Ka krijuar mjaft njerëz që ta thonë për të.

Maska nuk fsheh më fytyrën. Ajo bëhet fytyra.

Kështu, në kërkim të lavdisë, ai humbet jo vetëm veprën, por edhe veten. Sepse tashmë nuk jeton për atë që krijon, por për hijen që krijimi i tij duhet të lërë pas. Ai kërkon të kontrollojë kujtesën që të tjerët do të kenë për të.” Ironia është se artisti, që gjithë jetën merret me krijimin e së bukurës, nuk është gjithmonë imun ndaj së shëmtuarës njerëzore. Përkundrazi, ndonjëherë e sjell atë në skenë me një ndriçim shumë të mirë. Ai që deri dje ngjitej në skenë ose shkruante libra për të luajtur me veset njerëzore, një ditë mund të zbresë prej saj dhe të zbulojë se po sillet njësoj si personazhet e tij. Dikur interpretonte lakminë, zilinë, vanitetin, etjen për lavdi, nevojën për t’u admiruar. Tani, pa e kuptuar, i ka marrë këto role me vete në jetë. Personazhi ka dalë nga skena dhe aktori ka hyrë brenda tij. Nëse një artist mburret se ka punuar dyzet vjet në një fushë të artit, mund të përfitojë, me të drejtë, një çertifikatë vjetërsie në punë. Por asnjë institucion nuk mund t’i japë bashkë me të edhe një çertifikatë që e përjashton nga Harresa.

Disa artistë, megjithatë, duket se kanë gjetur një rrugë alternative: shpresojnë ta vazhdojnë kujtesën e tyre përmes fëmijëve që hyjnë në të njëjtën fushë artistike. Është një lloj trashëgimie profesionale me garanci familjare: prindi lë emrin, fëmija përpiqet të mbajë gjallë tabelën e firmës. Problemi fillon kur talenti nuk trashëgohet me të njëjtën siguri si mbiemri. Atëherë kujtesa nuk vazhdon dot si vepër; vazhdon si mbiemër. Njeriu mund t’ia lërë fëmijës profesionin, studion, arkivin dhe madje edhe portretin mbi mur; por nuk mund t’i lërë me testament aftësinë për të qenë artist. Harresa, për fat të keq, nuk njeh lidhje gjaku. Në njëfarë pike, Lavdia nuk i shërben më veprës. I del përpara, i rregullon fotografinë dhe i thotë: tani më lër mua të flas. Hija, e fryrë nga inflacioni i egos, errëson veprën. Artisti krijon veprën, pastaj egoja e tij e mbulon atë. Mirëpo vepra është një farë që artisti e mbjell në kohën e vet, por nuk e di në cilën stinë do të lulëzojë. Përjetësia është një zonjë shumë e çuditshme. Nuk pranon takime me rekomandim, nuk impresionohet nga CV-ja dhe, mbi të gjitha, nuk vjen kur e thërret. Dhe kështu, mes artit dhe egos, lind një bashkëpunim i çuditshëm: vepra kërkon të jetojë më gjatë se autori, ndërsa egoja kërkon të sigurohet që në çdo fotografi të duket qartë autori. Ndoshta kjo është edhe një nga ironitë më njerëzore të artit: njeriu krijon për të kapërcyer veten, por ndonjëherë përfundon duke krijuar një version gjithnjë e më të madh të vetes. Regjia e pavdekësisë është në përpjesëtim me mënyrën se si një shoqëri e prodhon lavdinë, e shpërndan vëmendjen dhe e ndërton kujtesën e vet.

Ndoshta “Regjia e pavdekësisë” nuk duhet kuptuar vetëm si shprehje e frikës së artistit ndaj Harresës. Ajo mund të lexohet më gjerësisht si një reflektim mbi marrëdhënien e shoqërisë me Kujtesën dhe Harresën. Institucionet kulturore ku kanë kontribuar dhe kontribuojnë këta artistë me “mardhënie të papërfunduar me veten” nuk po i përmend, sepse gjysma e lexuesve do thonë se i kanë njohur dhe gjysma tjetër do të thonë se nuk është fare ashtu. Nuk po them se është e vërtetë; por po të ishte krejt e pavërtetë, nuk do të kishte mjaft prej atyre që do të nxitonin të pyesnin: “Për kë e ke?” Por mendoj se portretet e tyre janë aq qartë të dallueshëm, sa nuk kanë nevojë për komision identifikimi të posaçëm. Mjafton të shikosh pak shënjat, sjelljet, ceremonitë me portretet prezentë, kujdesin për praninë e kudo ndodhur dhe gjithë atë përpjekje të ëmbël për të mos u harruar. Nuk thonë kot: “Fshati që duket s’do kallauz”. Madje, në rastin e tyre, fshati ka vënë edhe tabela rrugore. “PËR NË PAVDEKËSI NDIQ DREJTIMIN MË SIPËR”.

Lini një Përgjigje