Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga PDK-ja. Ndër të tjera, nisma përfshin kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burg, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe kryerjen e dënimeve në Kosovë.
Projektligji shqyrtohet një ditë para afatit për zgjedhjen e presidentit, proces që PDK-ja e ka lidhur me miratimin e ndryshimeve. Po ashtu, shqyrtimi përkon me kulmin e protestave, në mbështetje të nismës. Ka vonesa në nisjen e seancës plenare.
Çfarë parashikon nisma?
Ngushtimin e mandatit të Speciales, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Kufizimin e juridiksionit penal në rastet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, si dhe me vrasje, torturë apo trajtim mizor e çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
Ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga periudha aktuale janar 1998 – dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000.
Kufizimin e juridiksionit territorial vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.
Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, duke paraparë zbatimin e parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.
Mbajtjen e dënimeve në Kosovë në institucionet korrektuese të vendit.
Mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.
Transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Transferimin në Kosovë të personave të ndaluar në rastet që kalojnë tek institucionet vendore. Ata do të duhej të dilnin para një gjyqtari në Kosovë brenda 48 orësh.
Mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.
Rishqyrtimin e juridiksionit të çdo rasti brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Në rastet me akuza të përziera, do të transferohej vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e rishikuar.