Partia Demokratike shtrin procesin e saj të ripërtëritjes edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Brescia u kthye në një pikënisje të rëndësishme, ku një takim me strukturat dhe mbështetësit e PD-së në diasporë u fokusua te anëtarësimet e reja, afrimi i profesionistëve dhe forcimi i organizimit politik të demokratëve në Itali.
Në aktivitet morën pjesë Sekretari për Diasporën, Ethem Aga, Sekretari Organizativ dhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, si dhe Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.
Kryetari i Degës së PD-së në Brescia, Admir Plaka, bëri thirrje për bashkim dhe angazhim, ndërsa Koordinatori i Lombardisë, Edmir Çekrezi, kërkoi që diaspora të ketë një rol më të madh në vendimmarrjen politike.
Nga Brescia u propozuan tre kërkesa konkrete: krijimi i një zone të posaçme zgjedhore për diasporën, përfaqësimi i saj me një kuotë në listat për këshillat bashkiakë dhe krijimi i një strukture të përhershme të PD-së në diasporë.
“Vota e diasporës duhet të prodhojë përfaqësim. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë të drejtën për të pasur zërin tonë”, ishte mesazhi i përcjellë nga takimi.
Brescia synon kështu të shërbejë si një pikënisje për një PD më të organizuar, më të hapur ndaj prurjeve të reja dhe me një rol më të fortë të diasporës.
© SYRI.net