Shkopinj krokantë me domate të thata dhe ullinj nga shefja e kuzhinës Albana Mançja

Krokantë nga jashtë, aromatikë dhe plot shije nga brenda, këta shkopinj me domate të thata, ullinj dhe djathë janë një zgjedhje perfekte për një antipastë apo shoqërues në çdo tavolinë.
Përbërësit:
– 350 gr miell gruri
– 50 gr miell misri
– 300 ml ujë
– 2 lugë gjelle vaj ulliri
– 1 lugë çaji maja e thatë instant
– 1 lugë supë kripë
– 1 lugë gjelle djathë i grirë, me shije të fortë
– 1 lugë gjelle ullinj të zinj, të copëtuar
– Domate të thata
Përgatitja:
Në një tas të madh bashkojmë miellin e grurit me miellin e misrit. Shtojmë ujin, vajin e ullirit, majanë dhe kripën. I përziejmë derisa të formohet një brumë dhe të mos mbetet miell i thatë.
E mbulojmë dhe e lëmë të pushojë për 30 minuta.
Shtojmë djathin e grirë, domatet e thata dhe ullinjtë. I përfshijmë në brumë duke bërë palosjen e parë (stretch & fold). Më pas bëjmë edhe dy palosje të tjera, me nga 30 minuta pushim ndërmjet tyre.
E lëmë brumin në temperaturën e ambientit derisa të dyfishojë vëllimin.
E kalojmë mbi një sipërfaqe të lyer mirë me miell dhe e hapim butësisht me duar, pa e shtypur shumë, që të ruajmë ajrin e krijuar gjatë fermentimit. E presim në shirita të hollë e të gjatë dhe i vendosim në tavë. I mbulojmë dhe i lëmë të pushojnë edhe për 25–30 minuta.
I spërkasim me pak vaj ulliri dhe i pjekim në 230°C. Për 10 minutat e para vendosim në furrë edhe një tavë me ujë të nxehtë për të krijuar avull. Më pas e heqim tavën me ujë dhe vazhdojmë pjekjen edhe për rreth 10 minuta, ose derisa shkopinjtë të marrin një ngjyrë të bukur të artë.
Sekreti: Brumi është mjaft i hidratuar (300+ ml ujë për 400 gr miell), ndaj nuk ka nevojë për ngjeshje.




