Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku janë të pranishëm 101 deputetë. Në sallë nuk janë deputetët e Listës Serbe.

Në seancë janë të pranishëm edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata nuk do të marrin pjesë në votimin për shmangien nga procedura parlamentare, hap që i hap rrugë shqyrtimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, projektligji për Dhomat e Specializuara është pika e parë e rendit të ditës së seancës së sotme, pasi më herët është miratuar në Komisionin parlamentar për Legjislacion me 9 vota pro dhe asnjë kundër.

Tashmë pritet që deputetët të votojnë për procedurën që do të ndiqet për shqyrtimin e projektligjit, përpara se të kalojnë në diskutimin e përmbajtjes së tij.

Nisma për ndryshimin e ligjit është prezantuar nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili ka deklaruar se qëllimi i saj është mbrojtja e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa jashtë Kuvendit është paralajmëruar protestë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara për Dhomat e Specializuara.

Top Channel