Partia e Millorad Dodikut shpalli fitoren në zgjedhjet në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës.
Fitore shënuan partitë nacionaliste edhe në pjesë të tjera të vendit, rezultate që mund t’i mbajnë të larta tensionet si në Bosnjë, ashtu edhe në rajon.
Kemi fituar, u tha Dodik mbështetësve në Banjallukë.
Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD mbetet në pushtet në Republikën Sërpska.
Qytetarët u thirrën dje të votonin për Presidencën trepalëshe dhe Parlamentin e Bosnjës, si dhe për organet legjislative në nivele të tjera, përfshirë Kuvendin e Republikës Sërpska.
Ky sistem kompleks politik buron nga Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995.
Vendi u nda në dy entitete me autonomi të gjerë: Republikën Sërpska dhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, me shumicë boshnjake dhe kroate.
Të dyja lidhen përmes institucioneve qendrore të shtetit, që shpesh kanë funksionuar me vështirësi.
Në fjalimin pas zgjedhjeve, politikani prorus, Dodik, tha se kandidatja e SNSD-së, Zhelka Cvijanoviç do të bëhet anëtare e Presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Anëtari aktual properëndimor i Presidencës, Denis Beqiroviç, fitoi një vend dhe i bashkohet Darijana Filipoviç nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), nga radhët e kroatëve.
Në moshën 39-vjeçare, Filipoviç bëhet anëtarja më e re e Presidencës së Bosnjës që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.