
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas daljes nga SPAK deklaroi se brenda institucionit "të gjithë po bënin gati valixhet".
"Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste. Me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës. Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit. Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama", tha Berisha, shkruan A2.
"Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës. Çfarë nënkupton heshtja e tyre? Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij. Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS. Se këta janë njerëz pa ligj dhe moral. A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin? A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt? Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë", shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)