Publikimi dhe shpërndarja në rrjet e videove intime të disa personazheve të njohur ka ngjallur reagime të shumta. Mes zërave që kanë dënuar publikimin e materialeve private është edhe aktori Laert Vasili, i cili e cilësoi një fenomen të tillë si një formë të rëndë dhune ndaj individit.
Gjatë një diskutimi në “Grida Duma Podcast”, Vasili u ndal te pasojat që mund të sjellë publikimi i paautorizuar i videove intime, pasi sipas tij pas një skandali të tillë mediatik qëndrojnë njerëz, familje dhe jetë që mund të preken rëndë.
Në një moment të debatit, aktori iu drejtua kompozitorit Adi Hila me një pyetje të drejtpërdrejtë: “Po t’ia bënin vajzës dhe gruas tënde atë?”. Me këtë, Vasili kërkoi që çështja të shihej jo thjesht si një histori që qarkullon në rrjet, por si një ngjarje me pasoja konkrete për personat e përfshirë dhe familjarët e tyre.
Ndërkohë, çështja e videove intime ka vijuar të marrë zhvillime edhe në aspektin ligjor. Kompozitori Adrian Hila ka dëshmuar në polici dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë lidhur me materialet intime që kanë qarkulluar së fundmi në internet.












