Deri në 500 shkolla të mesme në Francë po qëndrojnë pjesërisht ose plotësisht të mbyllura, pas ditësh protestash studentore dhe përplasjesh me forcat e rendit.
Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, deklaroi se mësimi pezullohet në 400 deri në 500 shkolla, pasi kushtet e sigurisë nuk konsiderohen të mjaftueshme për zhvillimin e tij normal.
Sipas ministrit, 24 institucione arsimore janë djegur ose dëmtuar rëndë që nga nisja e protestave, ndërsa 78 punonjës të arsimit mbetën të plagosur.
Protestat nisën në rajonin e Parisit dhe më pas u përhapën në qytete të tjera, përfshirë Montpellier, Nantes e Marseille.
Nxënësit kundërshtojnë mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, kushtet e dobëta të godinave shkollore dhe problemet e tjera që sipas tyre po ndikojnë në cilësinë e arsimit.
Protestat janë shoqëruar me bllokime të shkollave, përleshje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.
Përshkallëzimi i protestave ka sjellë edhe një numër të madh arrestimesh. Sipas autoriteteve franceze, vetëm të premten u prangosën 1,747 persona, ndërsa numri total i arrestimeve që nga fillimi i lëvizjes ka kaluar 5 mijë. Rreth 85% e të arrestuarve janë të mitur.
Organizatorët kanë bërë thirrje për një tjetër ditë protestash nesër, duke argumentuar se qeveria ende nuk ka marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemeve të ngritura nga nxënësit.
Sindikata të mësuesve kanë njoftuar edhe mbështetjen për mobilizimin, duke lidhur kërkesat e nxënësve me shqetësimet e tyre për mungesën e burimeve në sistemin arsimor.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, deklaroi se qeveria po ndërmerr hapa të mëtejshëm për të adresuar problemet e ngritura nga nxënësit dhe stafi arsimor.
Masat e përmendura përfshijnë garantimin e vazhdimit të mësimit, përmirësimin e ambienteve shkollore, organizimin më të mirë të ditës mësimore dhe rritjen e transparencës së platformës së pranimit në universitete.
Qeveria po përshpejton shqyrtimin e një projektligji që synon të bëjë përgjegjës financiarisht personat që shkaktojnë dëme gjatë akteve të vandalizmit.
Ndërkohë, autoritetet franceze përballen me sfidën e rikthimit të normalitetit në qindra shkolla, ndërsa lëvizja studentore pritet të vazhdojë.