Andrew Mountbatten-Windsor ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj policisë së Thames Valley, duke kundërshtuar urdhër-kontrollet e përdorura në kuadër të arrestimit të tij në shkurt.
Ish-princi u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës publike, pas informacioneve të bëra publike nga dosjet e Jeffrey Epstein-it në SHBA.
Avokatët e Mountbatten-Windsor kanë nisur procedurat për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrave të kontrollit të përdorur nga policia në pronën Marsh Farm në Sandringham dhe në ish-rezidencën e tij, Royal Lodge në Windsor.
Sipas raportimeve, ka kërkuar një rishikim gjyqësor të vendimeve që autorizuan kontrollet.
Policia e Thames Valley konfirmoi se është përfshirë në procedura ligjore lidhur me urdhrat e kontrollit të lëshuar më herët nga Gjykata Qendrore Penale, por nuk dha detaje të tjera për shkak se çështja po shqyrtohet.
Policia kishte kryer kontrolle për disa ditë në pronat e Mountbatten-Windsor-it pas arrestimit të tij, pikërisht në 66 vjetorin e lindjes. Pas arrestimit, Andrew u dërgua në komisariatin e Aylsham-it dhe më vonë u lirua.
Hetimi i policisë vijon ndërsa Mountbatten-Windsor ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdo shkelje në lidhje me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Mountbatten-Windsor humbi titullin e princit dhe atë të Dukës së York-ut për shkak të lidhjeve me Epstein-in.