Timak Defence, një partneritet mes kompanisë private TIMAK dhe kompanisë shtetërore KAYO, rezulton të ketë marrë nga buxheti i shtetit rreth 35.6 milionë euro, që nga momenti i themelimit të saj, në Gushtin e vitit të kaluar. Të dhënat janë publikuar nga Open Data, ku rezulton se nga Thesari janë kryer transaksione për TIMAK, në shuma të konsiderueshme.
“Timak Defence – një kompani e re në sektorin e mbrojtjes me pagesa miliona euro nga Buxheti i Shtetit. Kompania Timak Defence është një nga katër kompanitë e themeluara nga KAYO në gusht 2025.
Kjo kompani funksionon me një strukturë pronësie 50% shtetërore dhe 50% private, ku pronarët përfundimtarë të pjesës private janë Ron Yeffet dhe Arjeta Puca.
Sipas të dhënave të publikuara, deri më 14 korrik, Timak Defence ka përfituar nga Buxheti i Shtetit një vlerë totale prej: 2,919,616,666 Leke (afërsisht 35.6 milionë USD)”, thuhet në postimin e Open Data.


Timak Defence ka qenë në qendër të vëmendjes së fundi, edhe për shkak të hetimeve që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme, pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj, ku hidhen dyshime se Shqipëria mund të jetë e përfshirë në një trafik armësh ndërkombëtar.
Kjo për shkak të përfshirjes në Timak Defence, të biznesmenit izraelit, Ron Yeffet, i cili shfaqet në audiopërgjime, në biseda me zyrtarë ukrainas, ku flitet për armë që prodhohen në vendet e afrikës, paketohen në Shqipëri, dhe më pas dërgohen në vendet e BE, ose në zonat në konflikt.
Për këtë dosje, SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle në banesën e Ron Yeffet, Ardi Veliut, që është drejtori i KAYO, Arjeta Pucës, që është drejtoresha e Timak, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
Timak Defence, kontrollohet 80% nga TIMAK, dhe 20% nga KAYO, që është kompani shtetërore. Shumica e tenderave që janë fituar nga kjo kompani, kanë qenë sekrete, për shkak se lidhen me veprimtari në fushën e mbrojtjes, dhe cilësohen si konfidenciale.
Megjithatë, së fundi, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një pjesë e këtyre dokumenteve do të jenë online, në kuadër të Flamingo Mirror, që është lancuar nga qeveria shqiptare, si një platformë ku qytetarët do të informohen mbi veprimtarinë e institucioneve. /SHEKULLI














