Një sistem italian që varet nga marrëdhëniet me vendet e origjinës
Raporti i ActionAid dhe Universitetit të Barit tregon se shqiptarët janë ndër numrat më të larta të riatdhesimeve nga Italia. Në periudhën 2018-2024, 54,8% e urdhrave të largimit për shtetasit shqiptarë u pasuan nga një riatdhesim. Por të dhënat tregojnë gjithashtu se sistemi i qendrave të ndalimit për riatdhesim po kushton gjithnjë e më shumë, ndërsa prodhon gjithnjë e më pak riatdhesime.
Sipas raportit të ri “Espulsioni. Un’analisi della politica di rimpatrio italiana, 2015-2025”, të përgatitur nga ActionAid Italia dhe Departamenti i Shkencave Politike i Universitetit të Barit Aldo Moro, e publikuar pak ditë më parë, mbi periudhën 2018-2024, raporti mes riatdhesimeve të realizuara dhe urdhrave të largimit për shtetasit shqiptarë ishte 54,8%. Kjo është përqidnja më e lartë për një shtetësi. Në skajin tjetër të tabelës janë shtetasit e vendeve si Siria, Afganistani, Irani dhe Iraku, ku realizimi i riatdhesimeve ishte në nivele shumë pranë zeros.
Të dhënat e raportit tregojnë se politika italiane e riatdhesimeve është shumë e varur nga marrëdhëniet me vendet e origjinës. Gjatë periudhës 2018-2024, Shqipëria dhe Tunizia së bashku përbënin 59% të të gjitha riatdhesimeve të realizuara. Kjo do të thotë se, pavarësisht se Italia ka mijëra urdhra largimi çdo vit, aftësia për t'i zbatuar ato varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bashkëpunimi me shtetet e origjinës.
Në rastin e Shqipërisë, norma prej 54,8% është dukshëm më e lartë se ajo e shumë kombësive të tjera. Raporti e bën të qartë se sistemi nuk funksionon në të njëjtën mënyrë për të gjithë. Për disa shtetësi, kthimi është relativisht më i realizueshëm; për të tjera, pengesat ligjore, diplomatike dhe praktike e bëjnë largimin shumë më të vështirë. Në vitin 2025, Italia kreu 4.784 riatdhesime të detyruara. Vetëm 1.732 persona u riatdhesuan pasi kishin kaluar në një CPR.
Ndërsa 3.052 persona u riatdhesuan pa qenë më parë të ndaluar në një CPR. Pra, pothuajse dy në çdo tre riatdhesime të detyruara u kryen jashtë sistemit të Qendrave Qëndrim Riatdhesimi. Në të njëjtën kohë, CPR-të regjistruan një rekord prej 6.835 hyrjesh gjatë vitit 2025.
Në vitin 2022, Italia kishte 10 CPR me 803 vende efektive. Në ato qendra hynë 6.457 persona dhe prej tyre u realizuan 3.154 riatdhesime.
Në vitin 2025 numri i qendrave u rrit në 11 dhe kapaciteti në 883 vende. Por, pavarësisht rritjes së kapacitetit dhe hyrjeve, riatdhesimet nga CPR-të ranë në 1.732. Kjo përfaqëson një rënie prej 45,1% në vetëm tre vjet. Ndërkohë, numri total i riatdhesimeve të detyruara u rrit nga 3.916 në 4.784. Arsyeja? Rritja erdhi kryesisht nga riatdhesimet e kryera pa ndalim paraprak në CPR, të cilat u katërfishuan, nga 762 në 3.052.
Shifra prej 54,8% për shtetasit shqiptarë është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar se çfarë ndodh në praktikë.
Ajo nuk do të thotë se 54,8% e shqiptarëve që hyjnë në Itali përfundojnë në CPR apo se 54,8% e shqiptarëve në Itali dëbohen. Bëhet fjalë për raportin mes numrit të riatdhesimeve të realizuara dhe urdhrave të largimit të nxjerrë ndaj shtetasve shqiptarë gjatë periudhës 2018-2024. Pra, është një tregues i efikasitetit të zbatimit të urdhrave të largimit për këtë shtetësi dhe Shqipëria del dukshëm mbi shumë vende të tjera të përmendura në raport.
Ndërkohë, kostoja e sistemit të ndalimit vazhdon të rritet. Nga viti 2018 deri në vitin 2025, shpenzimet për sistemin e ndalimit të emigrantëve në Itali arritën në të paktën 217,1 milionë euro. Vetëm në periudhën 2023-2025 u shpenzua 66,2% e kësaj shume. Gjithashtu dhe kostoja për një riatdhesim është rritur ndjeshëm. Nëse llogariten CPR-të dhe qendrat e tjera të ndalimit në Itali dhe Shqipëri, kostoja për çdo riatdhesim pas ndalimit u rrit nga rreth 6.455 euro në vitin 2023 në 16.560 euro në vitin 2025. Kjo është një rritje prej 156,5%. Nëse llogariten vetëm kostot e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së CPR-ve, kostoja për një riatdhesim u rrit nga 4.265 në 11.855 euro, ose 178%.
148 ditë ndalim për një riatdhesim
Në periudhën 2018-2024, për çdo riatdhesim nga një Qendër Qëndrimi Riatdhesimi, llogariteshin mesatarisht rreth 62-84 ditë ndalim. Në vitin 2025 shifra arriti në rreth 148 ditë që dëshmon se sistemi po kërkon gjithnjë e më shumë kohë privimi nga liria për të realizuar një riatdhesim. Sipas raportit, mbi 2.000 persona u mbajtën në CPR midis viteve 2018 dhe 2024, edhe pse nuk kishte perspektivë konkrete për largimin e tyre, për shkak të mungesës së kanaleve efektive të ripranimit me vendet e origjinës.
Në periudhën 2015-2025, autoritetet italiane nxorën rreth 302.000 urdhra largimi, ndërsa u regjistruan rreth 66.000 riatdhesime. Kjo do të thotë se, në total, u realizuan rreth 22 riatdhesime për çdo 100 urdhra largimi.
Në vitin 2025 raporti ishte 31,5%.
Një sistem që varet nga marrëdhëniet me vendet e origjinës
Rasti i Shqipërisë është një nga shembujt më të qartë të kësaj varësie. Me një normë prej 54,8% të riatdhesimeve në raport me urdhrat e largimit, Shqipëria renditet dukshëm më lart se vendet me të cilat Italia ka më pak mundësi praktike për të realizuar kthimet. Kjo tregon se efektiviteti i politikës italiane të dëbimeve nuk përcaktohet vetëm nga numri i Qendrave Qëndrimi Riatdhesimi-ve apo nga numri i personave të ndaluar, por edhe nga marrëdhëniet politike, diplomatike dhe marrëveshjet e ripranimit me vendet e origjinës. Ky tregues shfaq se kur ekzistojnë kanale funksionale bashkëpunimi mes Italisë dhe një vendi të origjinës, urdhrat e largimit kanë shumë më tepër mundësi të zbatohen.
Të dhënat e reja të ActionAid dhe Universitetit të Barit sjellin një pamje të ndryshme nga debati politik për Qendrat e Qëndrim Riatdhesimi. Italia po investon më shumë në ndalimin administrativ, por rritja e numrit të personave të ndaluar nuk po shoqërohet me rritje të riatdhesimeve nga vetë CPR-të. E pyetja mbetet;
A është ndalimi në Centro Permanenza Rimpatrio, Qendra Qëndrimi Riatdhesimi, mënyra më efektive për të realizuar riatdhesimet, apo Italia po investon gjithnjë e më shumë në një mekanizëm që, sipas vetë shifrave, nuk është burimi kryesor i kthimeve?
© SYRI.net
Censura ndaj medias/ Berisha-gazetarëve: Mblidhuni dhe reagoni, Rama ka rikthyer modelin e Sigurimit të Shtetit
Plagjiaturat e Rilindjes/ Gazetari: Është të qeshësh dhe të qash, Kushi, Balla, Spahiu kanë vjedhur...
Berisha: Agasi-Hyseni kanë nisur të flasin…! Qëllimi i ndryshimeve ligjore, telefonat e Ramës, Lindës, Olsit...