Specialja në qendër të debatit në Kuvendin e Kosovës! Kurti: Do t’i mbështesim ndryshimet. LDK: Nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj nisme

Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuar, nismë që është lidhur edhe me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Seanca, e cila ishte parashikuar për në orën 09:00, nisi një orë me vonesë. Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte.
Të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Deputeti i PDK-së dhe propozuesi i projektligjit, Përparim Gruda, tha para Kuvendit se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur në thelb me pretendimet për trafikim organesh.
Sipas tij, proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë kanë treguar se nuk ka pasur trafikim organesh.
Gruda tha se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t’ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
Ai argumentoi se juridiksioni i paraparë fillimisht për Dhomat e Specializuara nuk synonte që ato të trajtonin raste që, sipas tij, nuk lidhen me pretendimet mbi të cilat u krijua gjykata.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se çështja që po diskutohet sot në Kuvend është dashur të zgjidhej që në vitin 2015, kur, sipas saj, është dashur të kishte më shumë largpamësi për pasojat.
“Ne si LVV ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe kundër jemi edhe sot”, tha Nagavci.
Ajo kujtoi se ligji për themelimin e Speciales ishte miratuar nga shumica parlamentare e asaj kohe.
“Nuk po e përmendim këtë për t’u ndarë, por nuk mund të mos e kujtojmë”, tha ajo, duke e cilësuar reagimin 11 vjet më vonë si të vonuar.
Megjithatë, Nagavci tha se nëse partitë që e mbështetën krijimin e Speciales në vitin 2015 sot kërkojnë ndryshimin e ligjit, LVV-ja do ta mbështesë nismën.
Ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë një çështje që, sipas tij, “i tejkalon përmasat e një partie dhe mandatet e disa qeverive”.
“Është një çështje që ka të bëjë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha Hamza.
Sipas tij, vendimi për krijimin e Dhomave të Specializuara kishte qenë i rëndë, por se deputetët që e kishin mbështetur atë, kishin qenë të bindur se pretendimet për trafikim organesh nuk do të vërtetoheshin.
Sipas Hamzës, ajo që ai e quajti “devijim” të gjykatës nga ajo që ishte votuar në Kuvend, është çështje tjetër.
Ai kundërshtoi veçanërisht gjetjet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, duke thënë se lufta e UÇK-së “ka qenë e drejtë, e pastër, luftë e popullit të Kosovës”.
“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën. Po kërkojmë mbikëqyrje, po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”, tha Hamza.
Nga ana tjetër, LDK tha se nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj nuk mund të bëhet pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo u bëri thirrje deputetëve që, gjatë votimit, të veprojnë “në interes të drejtësisë”.
“Për LDK-në, lufta e UÇK-së është e shenjtë”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo argumentoi se miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre dhe se nisma “mund të mos prodhojë efekt juridik”.
Ramush Haradinaj nga Aleanca tha se partia e tij do t’i votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas Haradinajt, anulimi i Dhomave të Specializuara “do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë”, por Aleanca do ta mbështesë nismën që është sot para Kuvendit.
Ai kërkoi që projektligji të votohet sot edhe në lexim të dytë.
“Rrugëtimin tonë deri këtu e kemi bërë edhe me gabime, por fajin duhet ta gjejmë te vetja, sepse vetëm ne mbajmë përgjegjësi për fatin dhe të vërtetën tonë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, tha Kurti.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve ndaj Speciales është, sipas tij, i drejtë dhe ka ekzistuar edhe atëherë, por nuk është marrë parasysh.
Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015.
“Ne po ju mbështesim sot”, tha ai.
Çfarë parashikon nisma e PDK-së për Specialen?
- Nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara prek disa aspekte kyç të funksionimit të tyre:
- Ngushtimin e mandatit të Speciales, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
- Kufizimin e juridiksionit penal në rastet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, si dhe me vrasje, torturë apo trajtim mizor e çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
- Ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga periudha aktuale janar 1998 – dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000.
- Kufizimin e juridiksionit territorial vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.
- Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, duke paraparë zbatimin e parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.
- Mbajtjen e dënimeve në Kosovë në institucionet korrektuese të vendit.
- Mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.
- Transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
- Transferimin në Kosovë të personave të ndaluar në rastet që kalojnë tek institucionet vendore. Ata do të duhej të dilnin para një gjyqtari në Kosovë brenda 48 orësh.
- Mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.
- Rishqyrtimin e juridiksionit të çdo rasti brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Në rastet me akuza të përziera, do të transferohej vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e rishikuar.




