Votohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen, Kurti: Nuk jemi të bindur, të mos ngutemi

Këtë të hënë Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë 91 deputetë. Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kundërshtuar nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar procesin si të nxituar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti u ndal edhe te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si bartëse të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Lufta e drejtë e popullit tonë ishte luftë çlirimtare. Bartëse e kësaj lufte ishte UÇK-ja. UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, tha Kurti. Duke folur për projektligjin që po shqyrtohet nga deputetët, kryeministri tha se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për një analizë të plotë të tij. Sipas Kurtit, çdo ndryshim i kuadrit ligjor për Dhomat e Specializuara duhet të bëhet pas një shqyrtimi më të thellë.

“Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi atë gjykimin e plotë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, u shpreh ai. Kurti iu referua edhe procesit që çoi në themelimin e Dhomave të Specializuara, duke përmendur vitet 2013 dhe 2015. Ai tha se në atë periudhë, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte konsultuar për këto zhvillime.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur u votua krijimi i kësaj gjykate. Atëherë nuk na keni dëgjuar. Sot do të duhej të na konsultonit”, tha Kurti. Në fund të fjalës së tij, kryeministri foli edhe për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj Gjykatës Speciale. Ai tha se përgjegjësia për themelimin e saj duhet t’u atribuohet atyre që e kanë mbështetur krijimin e saj, duke theksuar se Vetëvendosje e kishte kundërshtuar atë që në fillim.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Zemërimi i qytetarëve ndaj gjykatës sot është i drejtë, ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që kundërshtuan”, deklaroi Kurti. Ai shtoi se Vetëvendosje e kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara, tani po mbështet diskutimin për ndryshimet ligjore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?