Tangoja e fundi, Messi do e mbyll me Argjentinën kundër Benin
Lionel Messi pritet të luajë ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës, në një përballje që do të ketë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.
Argjentina do të përballet me Beninin në orët e para të së enjtes, në një sfidë ku diferenca mes dy skuadrave është e madhe për sa i përket historisë dhe traditës futbollistike. Megjithatë, vëmendja kryesore do të jetë te kapiteni argjentinas, i cili pritet të mbyllë një kapitull më shumë se dydekadësh me kombëtaren.
Ndeshja në “Estadio Más Monumental” në Buenos Aires shihet si një moment i veçantë për Messin, pas një karriere të jashtëzakonshme me Argjentinën, ku kulmi erdhi me triumfin në Kupën e Botës.
Përballë tij do të jetë Benini, i drejtuar nga trajneri Gernot Rohr. Tekniku 73-vjeçar e ka përjetuar edhe më parë përballjen me Messin, kur ishte në stolin e Nigerisë.
“Për ne është një nder i jashtëzakonshëm të luajmë kundër Lionel Messit, në Argjentinë dhe pikërisht në ndeshjen e tij të fundit zyrtare me kombëtaren. Jemi shumë të emocionuar dhe të njëjtën gjë e ndjejnë edhe lojtarët e mi”, deklaroi Rohr.
Trajneri gjerman kujtoi edhe dy përballjet e tij të mëparshme me Argjentinën. Në vitin 2017, Nigeria triumfoi 4-2 në një miqësore të zhvilluar në Krasnodar, ndërsa një vit më vonë, në Kupën e Botës në Rusi, argjentinasit fituan 2-1 në minutat e fundit.
“Mbaj mend që Messi shënoi golin e parë në atë ndeshje. E njoh shumë mirë cilësinë e tij. Ai është ende një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe meriton një festë të madhe për gjithçka që ka bërë gjatë këtyre viteve”, u shpreh Rohr.

