Qendra Rajonale për Menaxhim të Krizave (QRMK) Kumanovë njofton se zjarret vazhdojnë të jenë aktive në fshatrat Matejçe dhe Strima të Komunës së Likovës, në zona malore ku ndërhyrja është e vështirë.
Të lidhura
None found
Në Mateç, flakët janë përhapur përgjatë rrugës që çon drejt manastirit. Tre ekipe të njësisë rajonale të NP “Pyjet Kombëtare” u angazhuan për shuarjen e zjarrit, por terreni i paarritshëm nuk u mundësoi ta lokalizonin plotësisht, ndaj ekipet u tërhoqën.
Një vatër tjetër mbetet aktive në fshatin Strima. Banorët kanë arritur të shuajnë pjesën e zjarrit që ndodhej pranë banesave, ndërsa flakët vazhdojnë në lartësitë malore, në lokalitetin “Crven Kamen”.
Sipas të dhënave të “Pyjeve Kombëtare”, të përcjella nga QRMK Kumanovë, për shuarjen e zjarreve kërkohet angazhimi i avionëve. Për situatën janë informuar Departamenti i Zjarrfikësve të Kumanovës, Shërbimi Shtetëror Pyjor, Departamenti i Pylltarisë dhe Komuna e Likovës./Telegrafi/
