TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë.
Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve ndaj Speciales është, sipas tij, i drejtë dhe ka ekzistuar edhe atëherë, por nuk është marrë parasysh.
Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015.
“Ne po ju mbështesim sot”, tha ai.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.