Nisi këtë të hënë viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Të dhënat nga Ministria e Arsimit tregojnë se në total në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, publike dhe private janë 120 mijë studentë, 20 mijë prej të cilëve në vit të parë. Universitetet publike mbeten preferenca e parë me rreth 80 mijë studentë, ndërsa 40 mijë të tjerë kanë zgjedhur universitetet private. Universiteti i Tiranës, ai i Mjekësisë dhe Politekniku mbeten zgjedhjet e preferuara nga studentët, më konkretisht me dëgët si mjekësi, stomatologji, inxhinieri, arkitekturë, teknologji informacioni, por edhe programet e ekonomisë, biznesit dhe financës. Për maturantët që ende nuk janë regjistruar në një degë, janë rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z, ose raundi i tretë i pranimeve, që mbyllen të martën në orën 16:00. Për nisjen e vitit të ri, Presidenti Bajram Begaj përcolli një mesazh ku uroi studentët dhe pedagogët për një vit akademik të suksesshëm.