Aktualitet

Berisha: SPAK-u heshti si fija e barit kur Rama votoi ligjin që i jep goditje fatale hetimit!

Pas daljes nga SPAK-u ku ishte në zbatim të detyrimit për paraqitje, Sali Berisha tha se aty brenda “të gjithë po bënin gati valixhet”.

Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin “Rroftë Partia Socialiste!”.

Me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës. I pari që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë, në mënyrën më të turpshme, heshti si fija e barit.

Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama.

Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.

Çfarë nënkupton heshtja e tyre? Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.

Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë ju kam deklaruar juve se ky është një seksion i shpifur i PS-së, se këta janë njerëz pa ligj dhe moral.

A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin? A mundet një institucion i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës, që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut.

A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt?

Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë.