Pesë vjet nuk mund të jenë matësi i rrezikshmërisë së krimit
Ka një problem shumë më të madh nga sa duket në pamje të p...
Ka një problem shumë më të madh nga sa duket në pamje të p...

Ka një problem shumë më të madh nga sa duket në pamje të parë në ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim teknik të masave të sigurimit, por me një filozofi të re se si shteti duhet të reagojë përpara se një rrezik kriminal të shndërrohet në një dëm të pakthyeshëm.
Drafti vendos një kufi numerik, duke parashikuar që për veprat penale me dënim maksimal nën pesë vjet të mos caktohet arresti në burg, sikur numri i viteve që ligjvënësi ka vendosur për një vepër të mund të përcaktojë vetvetiu edhe rrezikshmërinë e personit që dyshohet se e ka kryer atë.
Kjo është pikërisht pika ku ndryshimi bëhet shqetësues, sepse rrezikshmëria nuk mund të matet me një kalkulator ku futet maksimumi i dënimit dhe prej tij del automatikisht masa e sigurimit.
Një vepër penale mund të ketë një dënim relativisht të ulët në abstrakt, por mënyra se si është kryer, marrëdhënia e autorit me viktimën, përsëritja e sjelljes, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët, rreziku i prishjes së provave apo pozita që personi ka në një institucion mund ta bëjnë rrezikun konkret shumë më të madh nga sa tregon vetë shifra e dënimit.
Një burrë që rreh sistematikisht gruan, e kërcënon, e kontrollon dhe e mban në një gjendje të vazhdueshme frike, nuk bëhet më pak i rrezikshëm vetëm sepse vepra për të cilën procedohet ndodhet nën pragun e pesë viteve burg. Përkundrazi, pikërisht fakti që dhuna është përsëritur mund të jetë një nga treguesit më të fortë se rreziku është real dhe se mundësia e përsëritjes nuk është një hamendësim teorik.
Nëse ky person vazhdon të qëndrojë në të njëjtën shtëpi me viktimën, apo edhe thjesht mbetet i lirë dhe në gjendje të ushtrojë presion mbi të, çfarë garancie reale i jep shteti asaj gruaje se dhuna nuk do të përsëritet nesër, se kërcënimet nuk do të përshkallëzohen dhe se një histori dhune nuk do të përfundojë në një tragjedi shumë më të rëndë?
Kjo është arsyeja përse masat e sigurimit nuk mund të ndërtohen vetëm mbi atë që mund të ndodhë pas përfundimit të gjykimit, por duhet të marrin në konsideratë edhe rrezikun që ekziston gjatë vetë procesit penal.
Mund të thuhet se për viktimat e dhunës në familje parashikohen masa të tjera, si largimi i personit nga banesa, ndalimi i kontaktit dhe afrimit apo monitorimi elektronik, por këtu qëndron një tjetër problem që nuk mund të anashkalohet.
Një masë e shkruar në një vendim gjykate nuk është e njëjtë me mbrojtjen reale të viktimës, nëse shteti nuk ka kapacitetin ta kontrollojë dhe ta zbatojë atë në kohë. Një person mund të urdhërohet të mos afrohet, por nëse e shkel masën, policia duhet të jetë në gjendje të reagojë menjëherë. Një byzylyk elektronik mund të jetë një instrument i dobishëm, por ai nuk e zhduk vetvetiu rrezikun që paraqet një person i dhunshëm.
Shqipëria nuk është Norvegjia dhe kjo nuk është një çështje standardesh europiane apo më pak europiane, por një çështje e kapacitetit real të shtetit për të garantuar atë që shkruhet në ligj. Një sistem i masave alternative mund të funksionojë vetëm kur pas tij ekzistojnë policia, shërbimet sociale, strukturat e mbrojtjes së viktimave, monitorimi elektronik dhe një mekanizëm që reagon menjëherë ndaj çdo shkeljeje. Nëse këto hallka nuk funksionojnë me të njëjtën shpejtësi dhe forcë, atëherë rrezikojmë që një garanci që ekziston në letër të kthehet në një iluzion sigurie për viktimën.
Por problemi nuk qëndron vetëm te dhuna në familje. Ai bëhet po aq serioz kur flasim për korrupsionin dhe veprat që dëmtojnë funksionimin e shtetit, sepse këtu ekziston një keqkuptim i madh që e barazon dëmin e një vepre me masën e dënimit që mund të marrë autori i saj.
Korrupsioni nuk është një vepër pa viktimë vetëm sepse viktima nuk qëndron gjithmonë përpara gjykatës dhe nuk mund të tregojë me gisht një person të dëmtuar drejtpërdrejt. Kur një zyrtar manipulon një procedurë prokurimi, favorizon një kompani, deformon konkurrencën, përdor funksionin publik për të siguruar një përfitim të paligjshëm apo ndërhyn në vendimmarrjen e një institucioni, dëmi nuk kufizohet te paratë që mund të jenë marrë.
Dëmtohet buxheti publik, dëmtohen bizneset që kanë konkurruar në mënyrë të ndershme, dëmtohet cilësia e shërbimit që i ofrohet qytetarit dhe, mbi të gjitha, dëmtohet besimi se shteti funksionon mbi rregulla të barabarta për të gjithë.
Një hetim për korrupsion mund të lidhet me një procedurë prokurimi, me një kontratë publike, me dokumente administrative, me zyrtarë dhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në proces, ndërsa personi nën hetim mund të ketë ende kontakte, autoritet, ndikim apo akses te njerëz që kanë dijeni për mënyrën se si është kryer vepra.
Në një situatë të tillë, pyetja nuk është vetëm se sa vite burg parashikon neni, por nëse ekziston një rrezik konkret që personi të ndikojë mbi provat, dëshmitarët apo bashkëpunëtorët dhe të dëmtojë vetë procesin penal.
Një shtet nuk dëmtohet vetëm nga krimet që dënohen me dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet burg. Mund të dëmtohet rëndë edhe nga një vepër që ligjvënësi e ka vendosur nën pragun e pesë viteve, nëse ajo prek një institucion, një procedurë publike, paratë e taksapaguesve apo mënyrën se si merret një vendim shtetëror.
E njëjta logjikë vlen edhe për veprat që cenojnë funksionimin e drejtësisë dhe të institucioneve, ku ndikimi mbi një dëshmitar, fshehja apo manipulimi i një prove, pengimi i hetimit ose ndërhyrja e paligjshme në një proces mund të dëmtojë jo vetëm një çështje konkrete, por besueshmërinë e vetë sistemit. Nëse një person ka mundësi reale të ndërhyjë në këto procese, fakti që vepra për të cilën hetohet ka një maksimum dënimi nën pesë vjet nuk mund të jetë arsyeja që gjykata të mos ketë më në dispozicion masën më të fortë kur rreziku konkret e kërkon atë.
Në rastin e dhunës së përsëritur, përndjekjes apo kërcënimeve, viktima nuk jeton me një nen të Kodit Penal në dorë, por me frikën se çfarë mund të ndodhë pas derës së shtëpisë, në rrugë, në vendin e punës apo në momentin kur personi që e ka kërcënuar vendos të mos e respektojë më asnjë kufizim.
Një person që ndjek vazhdimisht një grua, e telefonon, i dërgon mesazhe, i shfaqet në shtëpi ose në punë dhe e vendos atë në një gjendje të vazhdueshme frike mund të mos ketë kryer ende veprën më të rëndë që mund të imagjinojmë, por pikërisht kjo nuk do të thotë se shteti duhet të presë përshkallëzimin e situatës për të reaguar. Nëse ekzistojnë të dhëna konkrete për përsëritje dhe për rrezik ndaj viktimës, logjika e drejtësisë duhet të jetë parandalimi i dëmit dhe jo pritja që dëmi të ndodhë përpara se të pranohet se rreziku ka qenë real.
Kjo është ajo që e bën të rrezikshme idenë e një kufiri të prerë. Në vend që gjykatësi të shohë rastin konkret dhe të vlerësojë nëse masat më të buta janë të mjaftueshme, ligji i jep një rëndësi disproporcionale një shifre që nuk tregon asgjë për marrëdhënien midis autorit dhe viktimës, për historikun e sjelljes, për mundësinë e përsëritjes apo për aftësinë e personit për të ndikuar mbi procesin penal.
Prezumimi i pafajësisë është një parim themelor dhe arresti në burg nuk mund të përdoret si dënim i parakohshëm, por pikërisht për këtë arsye masa e sigurimit duhet të vendoset mbi bazën e rrezikut konkret dhe jo mbi bazën e një paragjykimi automatik.
Problemi i kësaj pakete është se në emër të kufizimit të burgimit rrezikon të krijojë një kufizim tjetër, duke ia ngushtuar gjykatës hapësirën për të reaguar pikërisht në ato raste kur një person mund të jetë realisht i rrezikshëm, edhe pse vepra e dyshuar nuk e kalon pragun numerik të vendosur nga ligji.
Nëse ligji krijon një kategori të gjerë veprash për të cilat arresti në burg praktikisht përjashtohet, atëherë krijohet ideja se për këto vepra ekziston një lloj kufiri sigurie, pavarësisht se çfarë tregon rasti konkret. Kjo është veçanërisht shqetësuese për dhunën e përsëritur në familje, për përndjekjen dhe kërcënimet, por edhe për korrupsionin dhe veprat që mund të cenojnë provat, dëshmitarët dhe funksionimin normal të institucioneve.
Një reformë e procedurës penale mund të diskutojë se si të shmanget përdorimi i panevojshëm i paraburgimit, por nuk mund ta zgjidhë këtë problem duke kaluar në ekstremin tjetër dhe duke e kthyer maksimumin abstrakt të dënimit në një kufi pothuajse automatik për masën e sigurimit. Në drejtësinë penale nuk mjafton të dish se sa vite parashikon neni. Duhet të dish çfarë ka ndodhur, si është kryer vepra, kush është viktima, çfarë marrëdhënieje ka me autorin, çfarë rreziku ekziston për përsëritjen, për provat, për dëshmitarët dhe për vetë procesin.
Nëse një burrë ka rrahur sistematikisht gruan e tij, shteti nuk mund t’i thotë viktimës se duhet të ndihet e sigurt vetëm sepse maksimumi i dënimit është nën pesë vjet. Nëse një zyrtar dyshohet se ka manipuluar një procedurë publike dhe mund të ndikojë ende mbi njerëzit dhe dokumentet e lidhura me hetimin, shteti nuk mund t’i thotë prokurorit se rreziku procedural zhduket për shkak të një kufiri numerik.
Nëse një person përndjek vazhdimisht viktimën dhe sjellja e tij tregon përshkallëzim, shteti nuk mund të presë që përndjekja të shndërrohet në një krim më të rëndë për të kuptuar se rreziku ka ekzistuar.
Kjo nuk është mbrojtje e tepruar e paraburgimit. Është mbrojtje e arsyes së shëndoshë juridike. Masa e sigurimit duhet të jetë proporcionale, por proporcionaliteti nuk do të thotë se gjykatës i hiqet mundësia të reagojë kur përballë ka një rrezik real. Një sistem i drejtësisë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që nuk fut në burg, por edhe me aftësinë për të mbrojtur viktimën, provën, dëshmitarin dhe vetë procesin atëherë kur këto janë realisht në rrezik.
Parandalimi ekziston pikërisht përpara katastrofës. Nëse ligji e sheh rrezikun vetëm pasi dëmi është kryer, atëherë nuk kemi më parandalim. Kemi vetëm administrim të pasojave./ CNA
Të mërkurën e 30 shtatorit, kryeministri Edi Rama na u shf...
Ditën e djeshme shqiptarëve iu prezantua Kodi i ri i Proce...
Sipas kuadrit tonë ligjor, drejtori i SHISH-it emërohet ng...
48 orët e fundit një tjetër “bombë” ka plasur për publikun...
Kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra drejtuesen e S...
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Seli...
Kafka i gjorë! Në fillim e përdorte Erion Veliaj, kur Rama...
Njëri u ngrit në këmbë për të dëgjuar vendimin. Tjetri nga...
Dallimi mes Hashim Thaçit dhe Erion Veliajt është ulëritës...
Tani që Gjykata e Lartë ka vendosur që Erion Veliaj të mbe...
Gjykata e Lartë, me një vendim të Kolegjit Penal të saj, s...
Shembulli i analfabetizmit i mbështetur nga bandat, krimi ...
Për drejtësinë shqiptare qarkullojnë sot dy narrativa të g...
Erion Veliaj është arrestuar në shkurt të vitit 2025 dhe n...
Duke reaguar me sulme, duke reaguar me sharje, duke reagua...
A është kallëzimi penal ndaj një përfaqësuesi të pushtetit...
Në disa shkrime kam sjellë fakte në lidhje me deputetin e ...
Në një material të dytë, publikuar dje, solla fakte të cil...
Refuzoj t’i bindem turmës dhe komenteve të militantëve që ...
Në një intervistë të zhvilluar dje me ish-deputetin Edmond...
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ngrihet alarm...
Prej ditësh CNA ka zbërthyer raportin e Kontrollit të Lart...
Në mes të muajit prill emisioni “Stop” transmetoi një konf...
Në muajin prill emisioni “Stop” transmetoi një vëzhgim në ...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Artef Leka është ekstraduar nga Brazili drejt Shqipërisë. ...
Dy shtetas shqiptarë humbën jetën në një aksident rrugor p...
Një 20-vjeçar i cili aksidentoi një këmbësore e cila ndërr...
Një 26-vjeçar është arrestuar në Tiranë, në kuadër të një ...
Këtë të hënë nis viti i ri akademik për studentët dhe peda...
Gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesditës, vendi paras...
Ditën e sotme vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të q...
Për ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga të njëjtat...
Me 91 vota pro dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim është m...
Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet për Ligjin për D...
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shpallur zgjedhje...
Sipas rezultateve të pjesshme paraprake të publikuara nga ...
Në vetëm dy muaj, Ansambli Folklorik “Shebeniku” ka shënua...
Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan të Dropull...
Kjo e martë shënoi nisjen e punimeve civile dhe konservues...
Tirana ka një mozaik të ri të krijuar nga një punë artizan...
Këtë të hënë një dollar amerikan blihet me 81.1 lekë dhe s...
Nafta nga 100 milionë fuçi rezerva strategjike që G7 vendo...
Bashkimi Europian importoi 2.9 milionë tonë kafe nga vende...
Këtë të diel një dollar amerikan blihet me 81.1 lekë dhe s...