
Kryetari i PD-së së Durrësit, Adrian Gashi, pretendon se studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” u është mohuar hyrja në auditorë dhe disa prej tyre janë shoqëruar në polici, për shkak të ceremonisë së inaugurimit të godinës së re në prani të kryeministrit.
Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Gashi thekson se ceremonia nuk duhet të pengojë zhvillimin normal të mësimit.
Postimi i plotë i kryetarit të PD Durrës
Studentëve u mohohet auditori, shoqërohen në polici duke marrë trajtimin e kriminelëve!
Sot është dita e parë e vitit akademik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Një ditë që duhet t’u përkasë studentëve, auditorëve dhe dijes. Por ndërsa godina e re bëhet gati për inaugurimin me Kryeministrin, studentët po privohen nga e drejta për të hyrë në universitetin e tyre vetëm sepse aty zhvillohet një ceremoni qeveritare.
Siguria e Kryeministrit është përgjegjësi e institucioneve. Mësimi është e drejtë e studentëve. Njëra nuk mund të garantohet duke cenuar tjetrën.
Studentë që kanë kërkuar thjesht të hyjnë në universitet janë shoqëruar në komisariat. Po çfarë rreziku paraqet një student që kërkon të hyjë në auditor ditën e parë të shkollës?
Universiteti nuk është skenografi për inaugurime. Është, para së gjithash, shtëpia e studentëve.
(A2 Televizion)