Dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit për riorganizimin e hartës territoriale të vendit, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste në fillim të kësaj jave, të dy deputetët kanë ngritur pikëpyetje lidhur me propozimin për bashkimin e 15 bashkive.
Drafti është hedhur në votim në përfundim të mbledhjes, ku Braçe dhe Sinaj kanë votuar kundër.
Gjatë diskutimeve, Erion Braçe mësohet të jetë shprehur kundër variantit të propozuar, duke deklaruar se argumentet e paraqitura e çonin drejt votës kundër.
Reforma e propozuar nga mazhoranca synon të riorganizojë ndarjen administrative të vendit, duke bashkuar 15 njësi vendore dhe duke e çuar numrin total të bashkive në 46.
Për miratimin e ndryshimeve në Kuvend kërkohen 84 vota. Nëse dy deputetët socialistë ruajnë qëndrimin e shfaqur në mbledhjen e grupit parlamentar, vota e tyre kundër mund të bëhet pjesë e debatit parlamentar që pritet të shoqërojë miratimin e hartës së re territoriale.












