Milot-Balldren, fatura fryhet/ Nga 161,5 në 364,7 milionë euro, afati i koncesionit rritet nga 13 në 35 vite

05/10/2026 12:14

Projekti i rrugës Milot Balldren është gati trefishuar në kosto dhe në kohëzgjatje nga 2018 deri në fund të 2025. Top Channel ka siguruar kontratën me koncensionarin ANK shpk ku vlera e parashikuar në bazë të studimit të fizibilitetit ishte 161 500 000 euro për 13 vite.

Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës nga Belinda Balluku dhe tërheqjes së realizimit të projektit nga kompania fituese në 2018, kostot u frynë në thirrjen e dytë në vlerë rreth 365 milionë euro për 35 vite vetëm për 17 km rrugë.

Por konkurrimi u anulua në fillim të 2025 me arsyetimin se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushnin kërkesat e ftesës për procedurën. Me dështimin e garës, thirrja vijoi herën e tretë ku pati 3 oferta dhe u shpall fitues në korrik të 2026 bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Salillari, Alb, Infrakonsult dhe Erald G me diferencë mbi 203 milionë euro më shumë se në kontratën e parë.

Top Channel ka raportuar më herët se dy prej kompanive të këtij konsorciumi lidhen me persona të përfshirë në cështje nën hetim nga Spak. Vetë Balluku në atë kohë gjatë prezantimit të projektbuxhetit  deklaronte se ndryshimi i mënyrës së financimit kishte sjell nevojën e rishikimin e studimit të fizibilitetit të Milot Balldrenit. Dhe këtu lindin shumë pyetje se si u llogarit fatura e ndryshuar me këtë rritje galopante? Mbi çfarë fluksi automjetesh është ndërtuar modeli? Dhe a ndryshoi me kostot edhe mënyra e vlerësimit?

“Ngelen gara fiktive, mbeten në letër por nuk zbatohen sipas procedurave të koncensionit. Gjejnë kompani që do ndërtojnë rrugën, lidhin marrëveshje, por këto nuk bëhen në mënyrë transparente por bëhen në takime të fshehta. Përcaktohet kompania që do e marr dhe në bazë të gjithë këtyre përgatitet dokumentacioni, e pas shumës së dakordësuar përgatitet preventivi që ose trefishohet, ose katërfishohet apo pesëfishohet”, shprehet Romeo Nazarko- inxhinier gjeodet.

Historia e koncensionit për rrugën Milot Balldren nxjerr në pah një model ekonomik ku rishikimi i kontratës gati barazon shpenzimin për ndërtimin e 17 km rrugë me operimin dhe mirëmbajtjen. Projekti parashikon 182.5 milionë euro për ndërtim dhe rehabilitimin e rrugës Milot Balldren dhe vetëm për mirëmbajtje rutinë dhe operim shuma arrin 168.4 milionë euro.

Pra shifrat tregojnë se Belinda Balluku ka llogaritur kujdesin e rrugës në të njëjtën vlerë që në 2018 konsiderohej kostoja e gjithë koncesionit sipas studimit të fizibilitetit. Dhe këto të dhëna duhet të bëjnë transparente si u ndërtuan kriteret dhe nga kush u krijua fatura e kostove të fryra që prodhuan këtë rezultat.

Kostot e Projektit të Rrugës Milot-Balldre
Koncesion/PPP 2018       161 500 000 Euro
Koncesion/PPP 2025         364,732,924 Euro

Kohëzgjatja e Projektit të Rrugës Milot-Balldre
Koncesion/PPP 2018       13 vite
Koncesion/PPP 2025         35 vite

Top Channel