Pothuajse gjysma e gjermanëve besojnë se ish-kancelarja Angela Merkel do të ishte më e aftë se kancelari aktual Friedrich Merz për t’u përballur me sfidat aktuale te vendit. Ky është rezultati i një sondazhi të realizuar nga instituti YouGov për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Sipas sondazhit, 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Merkel do të ishte më e aftë për të menaxhuar problemet e Gjermanise sot. Në të njëjtën kohë, 29 për qind besojnë se Merkel dhe Merz do të ishin njësoj të aftë për t’u përballur me sfidat e Gjermanisë. Vetëm 8 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Merkelin më pak të aftë se Merzin, ndërsa 15 për qind nuk kanë dhënë një përgjigje ose janë shprehur se nuk kanë një opinion për këtë çështje. Si Angela Merkel, ashtu edhe Friedrich Merz i përkasin partisë konservatore CDU dhe prej vitesh janë konsideruar rivalë politikë. Merkel drejtoi Gjermaninë si kancelare për 16 vjet, nga viti 2005 deri në vitin 2021. Ndërsa Merz, i cili mori detyrën e kancelarit në maj të vitit të kaluar, po përballet me nivele të ulëta të mbështetjes nga publiku. Gjermania përballet aktualisht me një sërë sfidash, mes tyre stanjacionin ekonomik, rritjen e çmimeve të energjisë, plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, e cila ndikon edhe në financimin e sistemit social. Në listën e problemeve të rëndësishme përfshihen gjithashtu emigracioni i paligjshëm dhe pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.