Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota në parim projektligjin e PDK për Dhomat e Specializuara të Prokurorisë e Gjykatës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. *Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë projektligj, po nguteshin dhe se duhej një strategji e mirëfilltë mbrojtjeje në Apel, por tha se VV nuk do të pengonte këtë nismë. Ndërkohë jashtë Kuvendit pati protesta nga qytetarët të cilët kërkuan votimin e ndryshimeve.
"Duhet strategji kombëtare për mbrojtjen e liderëve të UÇK", Kurti: Adresa e fitores është Apeli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Vetëvendosja do të votojë projektligjin e PDK për ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale pavarësisht se mendon se strategjia duhet të jetë e ndryshme. Kurti tha se po përpiqet të rregullojë gabime që janë bërë nga qeverisjet e tjera ndër vitet e mëparshme.
Ai tha se duhet që të ketë një organizim kombëtar për t’u ardhur në ndihmë krerëve të UÇK në betejën që zhvillohet në Apel.
“Të nderuar deputetë unë si kryeministër po mundohem t’I korrgjojë gabimet që janë bërë ndër shumë vite. Por disa prej tyre janë shumë të vështira për t’u korrigjuar dhe morën shumë kohë sepse nuk varen nga ne. Por edhe kur varen nga ne, duhettë veprojmë me shumë kujdes. Unë në vendin tuaj nuk do ngutesha, do prisja aktgjykimin e plotë dhe më pas të vepronim së bashku. Ne po themi se duhet më shumë kohë, ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur që është kështu, por megjithatë nuk do të pengojmë. Bashkë me këtë votë duhet ta merrni përgjegjësinë politike.
Adresa e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. Për fitore nevojitet strategji. Organizimi e strategjia duhet të jenë shtetërore, jo partiake. Nuk ndihmojnë veprimet pa strategji. Ne e mbështesim projektligjin që menjëherë pas zgjedhjet së presidentit të ulemi bashkë për strategji shtetërore që të na nxjerrë fitimtarë.
Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe president për Kosovën. Nuk mund të lejojmë vakum dhe pasiguri institucionale në Kosovë. Na duhet strategji serioze dhe institucione funksionale. Përndryshe një ligj për Hagën pa president e me zgjedhje të përsëritura, rrezikon të përfundojë në dështim”- tha Kurti në foltoren e Kuvendit. Versus.al
"Asnjë deputet nuk del pa votuar ligjin për Gjykatën Speciale", protestuesit rrethojnë Kuvendin e Kosovës

Protestuesit kanë rrethuar hapësirat e objektit të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për aprovimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ata kanë thënë që “asnjë deputet nuk mund të dalë pa aprovuar ligjin”. Seanca e jashtëzakonshme që në rend dite ka pikërisht këtë projektligj, pritej të niste në orën 09:00, por filloi një orë me vonesë. Në Kuvend janë të pranishëm 101 deputetë, ndërsa mungon Lista Serbe.
Protestës tashmë i janë bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati ka thënë që nëse nuk votohet ligji, do të përshkallëzohet protesta. Versus.al
Sot ditë vendimtare në Kosovë, votohen ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Hagës

Ditën e sotme në orën 09:00, Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme plenare duke patur në qendër ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkohë para Kuvendit pritet të zhvillohet edhe një protestë e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës që kërkon miratimin e projektligjit për ndryshimin e ligjit të Gjykatës së Hagës. Disa prej protestuesve kanë qëndruar gjithë natën në stendat e ngritura para Kuvendit.
Kjo çështje ka qenë në qendër edhe të takimit të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza deklaroi se diskutimet kishin përfunduar dhe kërkoi që ligji të miratohej fillimisht në dy lexime. Sipas tij, më pas do të mund të diskutohej çështja e presidentit, duke bërë të ditur se PDK-ja ishte e gatshme të jepte mbështetjen e saj.
Ndërkohë, dy ditët e ardhshme janë vendimtare edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Deputetët kanë kohë sot dhe nesër, më 6 tetor, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Nëse procesi dështon, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Versus.al

