Projekti i rrugës Milot Balldren është gati trefishuar në kosto dhe në kohëzgjatje nga 2018 deri në fund të 2025. Top Channel ka siguruar kontratën me koncensionarin ANK shpk ku vlera e parashikuar në bazë të studimit të fizibilitetit ishte 161 500 000 euro për 13 vite. Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës nga Belinda Balluku dhe tërheqjes së realizimit të projektit nga kompania fituese në 2018, kostot u frynë në thirrjen e dytë në vlerë rreth 365 milionë euro për 35 vite vetëm për 17 km rrugë. Por konkurrimi u anulua në fillim të 2025 me arsyetimin se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushnin kërkesat e ftesës për procedurën. Me dështimin e garës, thirrja vijoi herën e tretë ku pati 3 oferta dhe u shpall fitues në korrik të 2026 bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Salillari, Alb, Infrakonsult dhe Erald G me diferencë mbi 203 milionë euro më shumë se në kontratën e parë. Top Channel ka raportuar më herët se dy prej kompanive të këtij konsorciumi lidhen me persona të përfshirë në cështje nën hetim nga Spak. Vetë Balluku në atë kohë gjatë prezantimit të projektbuxhetit deklaronte se ndryshimi i mënyrës së financimit kishte sjell nevojën e rishikimin e studimit të fizibilitetit të Milot Balldrenit. Dhe këtu lindin shumë pyetje se si u llogarit fatura e ndryshuar me këtë rritje galopante? Mbi çfarë fluksi automjetesh është ndërtuar modeli? Dhe a ndryshoi me kostot edhe mënyra e vlerësimit?