‘Kush na detyron’/ Bozdo për ‘territorialen’: Nuk mund të vendosni për 20-30 vitet e ardhshme me nxitim

12:20, 05/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, ka kundërshtuar në Komisionin për Çështjet Ligjore propozimin e mazhorancës për reformën e re territoriale, duke e cilësuar procesin të njëanshëm dhe të nxituar.

Gjatë fjalës së tij, Bozdo tha se reforma prek jetën e qytetarëve për dekada dhe nuk mund të miratohet pa dëgjesa reale, ekspertizë dhe konsensus politik.

Bozdo solli si shembull Slloveninë, e cila sipas tij ka ndërtuar një model me 212 bashki përmes dëgjimit të qytetarëve dhe konsensusit politik.

Deputeti i PD-së i kërkoi mazhorancës të ndërpresë procesin dhe t’u japë palëve kohë për të paraqitur propozimet e tyre, duke argumentuar se harta e re duhet të korrigjojë problematikat e reformës së vitit 2015 dhe të jetë “më e mira e mundshme”.

Bozdo: As edhe sa do të jetë numri i banorëve për bashki. Nuk të kërkon asgjë, është në tagrin e vendeve të BE të zgjedhin të gjithë modelet e tyre. Pse Sllovenia konsiderohet një ndër modelet më të suksesshme të reformës territoriale vendore dhe ka 212 bashki me të njëjtën popullatë si Shqipëria dhe pa male dhe kodra, se Shqipërinë po ta hekurosësh del 3-fishi i saj. Sepse ka bërë një reformë ku dëgjohen njerëzit e saj dhe pati një konsensus politik të vërtetë sepse është shumë e qartë se kjo prek jetën tonë për 20-30 vitet e ardhshme dhe ju thoni s’kemi kohë sepse do bëjmë raportin nesër dhe ta kalojmë të enjten me përshpejtim të madh? Po ç’është kjo histori? Kohën e kujt jemi duke marrë? Kush na detyron në fund të ditës? Zoti kryetar jeni ende në kohë, ndërpriteni dhe jepini mundësi palëve dhe të gjitha palëve të përfshira në proces të vijnë me propozimet e tyre më të mira dhe dëgjesat duhet të bëhen reale dhe argumentet duhet të jenë reale dhe ekspertët të punojnë në mënyrë reale për të prodhuar hartën më të mirë të mundshme dhe për të korigjuar atë masakër që reforma e 2015-tës bëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco