Të enjten në seancë plenare pritet të kalojë për votim drafti i PS për reformën territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Burime për Report Tv bëjne me dije se në mbledhjen e grupit të PS, dy deputetet Vullnet Sinaj dhe Erion Brace janë shprehur kundër ndarjes se re territoriale duke shfaqur rezerva për efikasitetin e kësaj reforme. Drafti po shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve.
Nëse qëndrimi i tyre do të përkthehej edhe në votë kundër gjatë seancës plenare të së enjtes, duke dalë kundër vendimit politik të PS-së, do të rrezikohej miratimi i reformës. Pas largimit të Marjana Koçekut si deputete e pavarur, PS-ja ka mbetur me 82 vota në Parlament.
Vota kundër “territoriales” e Braçes dhe Sinajt do ta ulte numrin e votave të socialistëve në 80, çka do ta pamundësonte miratimin e reformës edhe në rast se grupit socialist do t’i bashkoheshin 3 votat pro të socialdemokratëve të Tom Doshit.
Në Komisionin e Ligjeve po shqyrtohet propozimi i PS për hartën e re territoriale, i cili nëse merr miratimin sot, do të kalojë në seancë plenare në Kuvend të enjten në 8 tetor.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e ka kundërshtuar propozimin për ‘Territorialen’ te ‘Ligjet’, ku tha se mazhoranca po përshpejton procedurat, me qëllim që të anashkalojë propozimet e qytetarëve dhe kundërshtitë e Këshillave bashkiakë që kundërshtojnë ndarjen e re.
“Ju thoni do të miratojmë në parim dhe nen për nen këtë projektligj kaq të rëndësishëm. Si është e mundur? A mund të miratohen sot nen për nen dhe në parim për të gjitha bashkitë dhe pastaj në tërësi? Unë them se këtu kemi një shkelje të rëndë të procedurës. Si mund të mendohet që brenda 2-3 orësh ne të bëjmë me një procedurë të tillë rrufe, të kalojmë gjithë këta elementë? Kur këto janë kaq të diskutueshme nga ana proceduriale. Unë di të tre vendimet e Këshilleve të bashkive të Gjirokastrës, që kundërshtojnë propozimin. Ne jemi në një procedurë rrufe sot dhe kërkojmë të mbyllim hesapin”, tha mes të tjerash Shehu.
Më tej Shehu tha se mazhoranca s’mund të shkatërrojë një histori qindra vjeçare me një të rënë të lapsit.
Në përfundim Shehu theksoi se me mënyrën sesi mazhoranca po vepron për Reformën Territoriale, po shkel parimet europiane dhe po cenon demokracinë.
“Unë mendoj se nga ana proceduriale ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë pa një diskutim serioz dhe pa një analizë nga ana proceduriale të elementëve ekonomikë e historikë. S’mund t’i biem me një kalem të shkatërrojmë historira qindra vjeçare. S’po na rri njeri nga pas. Unë mendoj që të qetësohemi dhe ta marrim ngadalë, jo me këtë yrrysh që është marrë për të shkelur parimet europiane dhe demokracinë shqiptare”, shtoi Shehu.