Nga oborri i Prokurorisë së Posaçme anti-Korrupsion, ku ishte për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes për aferën “Partizani”, kreu i PD Sali Berisha kritikoi SPAK për heshtjen përballë propozimeve të qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
“Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit. Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.
A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin? A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt? A mundet tani të gjobitet çdo qytetar shqiptar që do të ftohet për të bërë një sqarim, për të bërë një dëshmi, duhet të paguajë edhe avokatin, të ketë avokatin me vete? A është kjo një marrëveshje midis kreut të Meduzës, Padrinos dhe Dhomës së Avokatisë, këtë unë nuk e di, por ka shumë dyshime. Pra kemi të bëjmë me këtë heshtje, me një marrëveshje trelaterale, Padrino-SKAP-Dhomë Avokatie”, tha Berisha.
Arsyeja e heshtjes, thotë Berisha, është marrëveshja me kryeministrin Edi Rama, për të zhvlerësuar provat që mund ta implikojnë sipas tij, shefin e qeverisë në dosjet që SPAK ka në duar për zyrtarët e lartë.
"Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij. Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS", tha Berisha.
Nisur nga propozimi që çdo qytetar të ketë me vete avokatin në çdo procedurë, kryedemokrati akuzon si pjesë të marrëveshjes edhe dhomën e Avokatisë.
“A mundet tani të gjobitet çdo qytetar shqiptar që do të ftohet për të bërë një sqarim, për të bërë një dëshmi, duhet të paguajë edhe avokatin, të ketë avokatin me vete? Pra kemi të bëjmë me këtë heshtje, me një marrëveshje trelaterale, Padrino-SKAP-Dhomë Avokatie", vijoi Berisha.
Berisha kritikoi edhe ndryshimet që prekin punën e gazetarëve, duke thënë se propozimi që të mos publikohet asnjë informacion që cenon sekretin hetimor, pa miratimin e gjykatës është shenjë e diktaturës.







Komente
Komento