Zbuluan kontrollin e qelizave nervore me dritë, tre shkencëtarët marrin çmimin Nobel në Mjekësi

Çmimi Nobel në Mjekësi iu dha sot tre shkencëtarëve që punojnë mbi mekanizmat që përdor truri për të ndezur ose fikur aktivitetin e qelizave nervore individuale.
Karl Deisseroth, 54 vjeç, Peter Hegemann, 71 vjeç, dhe Georg Nagel, 73 vjeç, kanë kryer kërkime mbi kanalet jonike të kontrolluara nga drita dhe optogjenetikën. Ata punojnë në universitete në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.
Komiteti i Nobelit vlerësoi punën e tyre, duke shkruar në X se metoda “tani po përdoret në laboratorë anembanë botës për të zbuluar misteret e trurit”.
Asambleja e Nobelit tha se Deisseroth është i vendosur në Universitetin Stanford në Kaliforni, ndërsa Hegemann është në Universitetin Humboldt në Berlin dhe Nagel në Universitetin e Ëurzburgut në Gjermani.
Çmimi u bë i ditur në Institutin Karolinska në Stokholm, duke hapur kështu javën e Nobelit.
Vitin e kaluar, çmimi shkoi për tre shkencëtarë që studiojnë sistemin imunitar. Çmimi i mjekësisë të hënën pasohet nga çmimi i fizikës të martën, i kimisë të mërkurën dhe i letërsisë të enjten.
Pasi të ndahet çmimi i paqes të premten, Çmimi Nobel Memorial në Shkencat Ekonomike do të shpallet më 12 tetor. Çmimi këtë vit është 12 milionë krona suedeze (rreth 1.2 milionë dollarë).




