
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shpallur zgjedhje të parakohshme pasi seria e masave të tij për të trajtuar krizën e strehimit në Spanjë u rrëzua në parlament.
Masat u hartuan pas protestave mbarëkombëtare, të shkaktuara nga dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga shtëpia e saj për shkak se nuk kishte paguar një rritje të ndjeshme të qirasë.
Qiraja e gruas u rrit nga 500 euro në 2,650 euro. Më vonë u ul në 1,650 euro, prapë 300 euro më shumë se pensioni i saj mujor.
Qeveria spanjolle pritet të miratojë të martën masa që synojnë të trajtojnë krizën e strehimit, të cilat parlamenti i hodhi poshtë javën e kaluar.
Masat përfshijnë pezullimin e dëbimeve të qiramarrësve në nevojë deri në vitin 2030 dhe një rinovim automatik të kontratave të qirasë.
Qeveria dështoi t’i miratonte ato javën e kaluar, pasi u kundërshtuan nga Partia Popullore (PP), Vox dhe Junts.
Pasi qeveria të miratojë masat, Sánchez ka 30 ditë kohë për t'i ratifikuar ato. Por gazeta politike me seli në Madrid, Moncloa, sugjeron se thirrja e kryeministrit për zgjedhje të parakohshme mund ta ndihmojë atë ta bëjë këtë pa kongres, pasi parlamenti do të shpërbëhet para se të mbarojnë këto 30 ditë.
Sánchez ka qenë kryeministër që nga viti 2018, Spanja nuk duhej të mbante zgjedhje të përgjithshme deri në verën e vitit 2027.
Shumica e sondazheve sugjerojnë se konservatorët ka të ngjarë të dalin si partia më e madhe në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen më 29 nëntor. (A2 Televizion)